Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 21.10.2019 08:13

​‘Qeveria e re të mos cenojë tregtinë e lirë’

Prishtinë | 18/09/2019 14:36

Mjedisi i parashikueshëm legjislativ dhe rregullativ, funksionalizimi i ekonomisë së tregut, trajtimi i barabartë i të gjitha bizneseve si dhe luftimi i ekonomisë joformale duhet të jenë prioritetet kyçe të qeverisë së re.

Këto konkluzione u nxorën nga tryeza e sotme e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, ku bizneset patën mundësi të prezantojnë rekomandimet e tyre për qeverinë e re.

Gjatë tryezës, u diskutuan edhe shqetësimet lidhur me vendimet e kaluara të marra pa koordinim paraprak me komunitetit e biznesit, të cilat kanë ndikuar në çrregullim të operacioneve të bizneseve.

Avni Krasniqi, kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganave në Odën Amerikane, theksoi se Kushtetuta e vendit parasheh një ekonomi të tregut të lirë, duke theksuar se institucionet duhet të përmbahen nga vendimet e njëanshme dhe ndryshimet ligjore që cenojnë tregtinë e lirë.

Si shembull për këtë u mor, projektligji i tregtisë i propozuar nga Ministria e Tregtisë në mandatin e fundit qeverisës, i cili parashihte dispozita rënduese në sektorin e tregtisë.

Hakif Gashi, zëvendëspresident i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, tha se qeveria e re duhet të marrë në konsideratë rekomandimet e Odës Amerikane, si dhe të organizatave të tjera të sektorit privat, meqë do të ndihmojnë në ruajtjen e një mjedisi të shëndoshë të të bërit biznes.

Përparim Tushaj, përfaqësues i Japan Tobacco International, foli për nevojën e parashikueshmërisë në operime të industrive përkatëse, duke theksuar se vendimet e atypëratyshme cenojnë planifikimin e bizneseve dhe vështirësojnë operimin e tyre.

Ai tha se Kosova megjithatë ka pasur një mjedis më të mirë të të bërit biznes krahasuar me vendet e tjera fqinje dhe kjo duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Tushaj e konsideroi si të nevojshme që Kosova të nisë me atë që njihet si Vlerësim i Ndikimit Rregullativ, i cili për shembull zbatohet në Shqipëri, e i cili merr në konsideratë ndikimin që politikat e caktuara mund të kenë në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Bizneset e tjera të pranishme shprehën po ashtu shqetësimet e tyre lidhur me tentimet e politikës për ndërhyrje në ekonominë e tregut, por edhe në operimet e bizneseve private, duke theksuar si të nevojshme mes tjerash edhe përdorimin më efikas të parasë publike, si dhe luftimin e korrupsionit dhe informalitetit.

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress