Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 20.09.2018 09:55

​Punëtorët e postës kërkojnë pagat nga qeveria

Prishtinë | 13/09/2018 14:51

Punëtorët e Postës së Kosovës, të mbështetur nga BSPK, kanë mbajtur një protestë para Qeverisë së Kosovës, ku kanë kërkuar pagat e muajit gusht, si dhe shtimin e disa shërbimeve tjera në postë.

Pos pagave, ata kërkuan që t’iu jepen skemat pensionale dhe ta kenë shërbimin PostBank në postë.

Etrit Hotim, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Postës, tha se greva tre ditore e tyre ka për qëllim ta informojë opinionin publik për mosmarrjen e pagave të muajit gusht. Për këtë, ai tha se fajtorë janë institucionet.

Kurse, Naser Gashi, kryetar i sindikatës “Postieri”, tha se posta e Serbisë operon lirshëm në Kosovë dhe po ua merr një pjesë të tregut Postës së Kosovës.

Ai tha se askush nuk ka reaguar për këtë dhe kërkoi nga qeveria që t’i rimbursohen humbjet e shërbimit postar, që sipas tij, arrijnë deri në 5 milionë euro.

Kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, Lami Balaj, tha se po kërkojnë nga qeveria që ta respektojnë ligjin dhe kërkoi nga ministri i Financave që t’ua japë pagat.

Të pranishëm ishin edhe kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të cilat ofruan mbështetjen e këtyre sindikatave për protestë.

Pas fjalimeve, shefi i kabinetit të kryeministrit i pranoi në një takim përfaqësuesit e këtyre sindikatave.

Pavarësisht se protestuesit në fillim thanë se nuk largohen pa dalë kryeministri, pas takimit të përfaqësuesve, ata u pajtuan ta ndërprenë protestën deri në një njoftim tjetër.

Ndërkaq, nesër në ora 16:00 kryeministri Haradinaj do ta presë në takim delegacionin e këtyre sindikatave./KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress