Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 16.10.2019 10:54

​‘Projekti “Kosova e re” është ende në lojë, por BB nuk e mbështet’

Prishtinë | 08/10/2019 14:22

Për vitin 2019 rritja ekonomike në Kosovë parashikohet të arrijë në 4 për qind, krahasuar me 3.8 për qind në vitin 2018, e shtytur nga konsumi, eksportet e shërbimeve dhe investimet.

Kështu u tha gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor nga Zyra e Bankës Botërore në Kosovë.

Drejtor i Bankës Botërore në Prishtinë, Marco Mantovanelli, theksoi se deficiti i përgjithshëm buxhetor pritet të mbetet nën 3 për qind të PBB-së dhe brenda kufirit të rregullës fiskale prej 2 për qind që përjashton shpenzimet kapitale të financuara nga të ardhurat e privatizimit dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Ndërsa, performanca pakëz e ulët e në të hyra, krahasuar me planin, do të mbikompensohet me nën-ekzekutim të konsiderueshëm të projekteve kapitale.

Ndërkaq, shpenzimet për mbrojtje sociale me shënjestrim të dobët mbeten të larta dhe vazhdojnë të kufizojnë hapësirën fiskale.

Asll Senkal, ekonomiste në BB për Kosovë, tha se pjesëmarrja në fuqinë punëtore vazhdon të jetë e ulët, përkundër shkallës së lartë kronike të papunësisë.

Në tremujorin e dytë (TM2) 2019 papunësia shënoi rënie me 4.1 pikë përqindje (pp), nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, për shkak të punësimit më të lartë, por edhe të pjesëmarrjes më të ulët në fuqinë punëtore.

Ndërsa, Marco Mantovanelli tha se Banka Botërore nuk përkrah projekte energjetike me thëngjill, në këtë rast projektin “Kosova e re”, edhe pse sipas tij, ka mungesë të energjisë elektrike në Kosovë.

Ai ka treguar se ky projekt është ende në lojë, por BB përkrah projekte energjetike vetëm të ripërtritshme.

Në fund, Mantovanelli përgëzoi Kosovën për zgjedhje transparente, por kërkoi që të formohet sa më parë qeveria e re. /KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress