Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 17.07.2019 09:38

​Produktiviteti i ulët shkak i mos zhvillimit ekonomik në Kosovë

Prishtinë | 27/02/2019 13:24

Situata ekonomike në Kosovë karakterizohet ende me papunësi të lartë 27-30 për qind dhe deficit të lartë tregtar 30-35 për qind të GDP-së dhe se për këtë nevojitet një strategji mbarëkombëtare, e cila do të adresonte problemet.

Kështu u tha në debatin “Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike”, të Institutit Riinvest, ku u tha se rritja ekonomike e cila ka vazhduar gjatë gjithë dekadës, nuk ka qenë e qëndrueshme dhe as afër nivelit të domosdoshëm karshi sfidave të zhvillimit të Kosovës, ndërsa ka pasur edhe mungesë të investimeve.

Enisa Serhati, hulumtuese në Institutin Riinvest, e cila prezantoi raportin "Çështjet që frenojnë zhvillimin në Kosovë - përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike", tha se në Kosovën e pasluftës ka pasur një rritje ekonomike jo proporcionale me punësimin.

"Nga kreditë që merren nga bizneset e Kosovës, 50 për qind shkon në tregti dhe vetëm 12 për qind shkon në prodhim. Pra, janë kryesisht sektor të shërbimit. 60-90 milionë euro, që është një shumë e vogël për të shtyrë përpara zhvillimin e industrisë”, tha ajo.

Alban Zogaj nga kolegji Riinvest, tha se është vështirë të gjendet një model, i cili do të ndihmonte rritjen ekonomike në të gjitha vendet. Sipas tij, një ndër arsyet pse Kosova ka mos zhvillim të ekonomisë është produktiviteti i ulët.

"Një vend është i pasur aq sa mundet të prodhojë produkte të ndryshme. Duhet të prodhojmë sa më shumë produkte që është e mundur në mënyrë të ketë rritje sa më të lartë. Kemi dy lloje të rritjes, rritje ekstencite, që nënkupton se shteti është i aftë të shtojë produkte të reja në gamën e produkteve, dhe tjetra rritja intensive, që është rritja e sasisë së produkteve ekzistuese", u shpreh ai.

Pëllumb Çollaku bashkautor i hulumtimit, tha se Kosova ka nevojë për unitet politik dhe strategji gjithëpërfshirëse, të cilat rrisin aftësinë konkurruese të Kosovës, pasi modeli i deritashëm i rritjes ekonomike nuk mund të ofrojë rritje më të madhe të qëndrueshme.

Sipas tij, ndër pikat kryesore me të cilën po përballet ekonomia kosovare është mungesa e një produkti konkurrent në rajon.

"Çka unë e shoh që mungon është një lloj kornize ekonomike mbarëkombëtare e cila do t'i adresonte shumicën e problemeve. Nëse e shohim GDP-n, e shohim se 85 për qind e saj është në konsum", u shpreh ai./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress