Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Mërkurë, 13.11.2019 04:16

​Panairi “Agrokos” një mundësi e mirë për prodhuesit

Prishtinë | 23/10/2019 13:25

Në Panairin ndërkombëtar të agrobiznesit, ushqimit dhe pijeve “Agrokos”, në të cilin po marrin pjesë mbi 100 kompani nga vendi, rajoni dhe më gjerë, përfaqësuesit e kompanive presin të arrijnë marrëveshje për bashkëpunim me partnerë të ndryshëm për zgjerimin e bizneseve në tregun vendës dhe të huaj.

Bekim Xhafa nga CEO theksoi rëndësinë e panairit për promovimin e produkteve dhe për shkëmbimin e kontakteve me partnerë.

Xhafa veçoi se në këtë panair, produktet nga Shqipëria nuk mungojnë asnjë herë, derisa edhe në panairin e ardhshëm do të jenë të pranishme edhe bizneset nga Greqia.


Përfaqësuesja e Odës së Afarizmit të Kosovës, Qëndresa Ibrahimi tha se panairi është një ngjarje me rëndësi për zgjerim të biznesit dhe krijimin e kontakteve me partnerët e tyre.  Ajo ka ftuar institucionet e Kosovës që t’i japin prioritet sektorit të bujqësisë, pasi që është shtytës i zhvillimit ekonomik.

Po ashtu edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Federatës së Bosnjës, Emir Pashiq, theksoi se në këtë panair po marrin pjesë 17 kompani nga ky shtet dhe iu dëshiroi arritjen e marrëveshjeve në ditët në vijim. Ai tha se delegacioni i BeH, për herë të katërt radhazi qëndron në Prishtinë.

Gëzim Selim nga kompania industria e mishit “Kalabria”, theksoi se në këtë panair presin interesim më të madh të qytetarëve për produktet vendore, veçanërisht për ato të mishit. Ai tha se mbulojnë 36 për qind të tregut të Kosovës me produkte të mishit me brendin “Natura”, ndërsa shprehin interesim edhe për tregun e BE-së. 

Në këtë panair ishte edhe kompania “Eurofruti”, e cila merret me grumbullimin e frutave të malit dhe ato kultivuara, që bënë procesimin, ngrirjen, paketimin dhe i tregton jashtë, në shtete e Evropës.

Milot Bislimi nga kjo kompani, pret që në këtë panair të arrijë marrëveshje me partnerë të ndryshëm nga vendi dhe jashtë.

E veçantë në këtë panair ishte edhe një kompani tjetër vendore, e cila prezanton kungullin për përpunime të ndryshme, si dhe farën pa lëvozhgë e papjekur vetëm e terur dhe natyrale, farë kjo e kungullit e siguruar në Austri.

Përfaqësuesi i kompanisë ‘Agro-shala”, Fatmir Shala, tha se qe pesë vjet merren me këtë veprimtari bujqësore dhe produktet e saja eksportohen në vendet e ndryshme.


Në panairin e edicionit 19-të po marrin pjesë biznese nga Shqipëria, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia dhe shtete të tjera. Panairi do të jetë i hapur deri më 25 tetor në sallën “1 Tetori”./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress