Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 21.10.2019 08:07

​OEMVP kërkon krijimin e mundësive për zgjerimin e tregjeve të kompanive në rajon

Prishtinë | 18/09/2019 19:28

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) në partneritet me Odën e Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, këtë vit organizuan për herë të parë ngjarjen rajonale B2B, me ç’rast u kërkua të krijohen mundësitë për zgjerimin e tregjeve të kompanive në tregjet rajonale.

Ideja e kësaj ngjarjeje ishte që të ketë B2B takime mes kompanive rajonale, përfshirë ato nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.

Kompanitë dominuese në ngjarje ishin pjesë e tre sektorëve ndërtimtari dhe materiale ndërtimore, prodhim ushqimor dhe tregti me pakicë.

Në këtë ngjarje të rëndësishme, fjalë përshëndetëse kishin kryetari i OEMVP,  Nebi Hoxha, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Veriore Kreshnik Bekteshi, përfaqësuesi i zyrës së USAID në Maqedoninë e Veriut Erik Janowsky.

Në ngjarje përveç takimeve B2B mes kompanive, u organizua edhe Forum Ekonomik, i ndarë në dy panele me tema “Lehtësimi i tregtisë përmes bashkëpunimit institucional ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë” dhe “Mundësitë e bashkëpunimit, investimeve dhe qasjet e përbashkëta në tregjet rajonale dhe me gjerë”.

Kryetari i OEMVP  Nebi Hoxha tha se rritja e konkurrueshmërisë dhe jetëgjatësia e një kompanie varet nga rrjetëzimi që ajo kompani ka krijuar.

“OEMVP, me rrjetin e krijuar, ka parakushte të shkëlqyera që të udhëheqë rajonalizimin e ndërmarrjeve nga Maqedonia e Veriut. Në këtë drejtim, fokusi duhet të jetë në krijimin e mundësive për zgjerimin e tregjeve të kompanive në tregjet rajonale”, tha ai.

Ndërsa, Erik janovski, drejtori i Zyrës së USAID në Maqedoninë Veriore, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet programeve të USAID, ka mbështetur zhvillimin e sektorit privat në këtë vend për 25 vjet.

“Gjatë kësaj periudhe, mbështetja jonë është zhvilluar duke u zhvilluar partnerët dhe duke u bërë më të qëndrueshëm. Gjatë këtyre viteve, ne kemi krijuar lidhje partneriteti me organizatat lokale dhe institucionet nacionale që të punojnë së bashku në realizimin e qëllimeve të përbashkëta. Unë jam shumë krenar që shoh Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore që po merr rolin udhëheqës për lidhjen e bizneseve lokale me blerës të huaj si dhe forcimin e lidhjeve me tregjet rajonale. Ne në USAID presim që organizatat lokale dhe institucionet të marrin rolin udhëheqës në ndërmarrjen e iniciativave për zhvillim të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut”, tha ai.

Qëllimet e kësaj ngjarjeje të madhe rajonale ishin njoftimi i bizneseve rajonale mes veti, mundësi e mirë për t’u promovuar produktet dhe shërbimet e kompanive, mundësi për bashkëpunim mes kompanive në sektorët më të rëndësishëm, hapje e mundësive të reja në të tre tregjet që do të mund të zgjerohen edhe në nivel evropian si dhe bashkëpunime të reja rajonale.

Kjo ngjarje u mbështet edhe nga Projekti USAID për zhvillimin e ekosistemit afarist.

Projekti USAID për zhvillimin e ekosistemit afarist, që ka filluar që nga viti 2017, është duke punuar në mënyrë aktive në rritjen e produktivitetit, të ardhurave dhe vendeve të reja të punës në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) duke ndërtuar një ekosistem të qëndrueshëm të biznesit.

Ndryshe, qëllimet e këtij projekti janë të përmirësohen shërbimet që ofrohen nga OEMVP ndaj biznesit, të përmirësohet qasja e kompanive ndaj burimeve të financimit dhe rritje të investimeve nga kompanitë kryesuese për të përmirësuar zinxhirin e furnizimeve dhe zhvillimin e fuqisë punëtore.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress