Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 16.07.2019 07:22

​OAK arrin marrëveshje me Ministrinë e Bujqësisë, sot në Qeveri ligji për bujqësi

Prishtinë | 18/04/2019 12:17

(I përmirësuar) Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do ta dërgojë sot në Qeveri për miratim ligjin për bujqësi. Marrëveshja për dërgimin e këtij ligji për miratim është arritur pas takimit që ministrja e Bujqësisë Dijana Zhiviq ka pasur me Odën e Afarizmit të Kosovës.

Përveç kësaj, nga ky takim ministrja e Bujqësisë ka premtuar se deri më 2 maj të këtij viti do të bëjë ndryshimin e udhëzimeve administrative që OAK vlerëson se po pengojnë të bërit biznes për sektorin e bujqësisë.

Kërkesë e Odës së Afarizmit të Kosovës dhe bizneseve anëtare është të ndryshohen Udhëzimet Administrative ashtu që hapësira të ipet në shfrytëzim për një periudhë më të gjatë kohore dhe të mos kufizohet sipërfaqja. 

Ndër të tjera, u kërkua edhe shfuqizimi i vendimit për ndalim të ndërrimit të përkohshëm të pasurisë së paluajtshme dhe ulja e tarifës prej 2 mijë euro për hektar në 50 euro ashtu siç është për kullosa.

Pas takimit ka folur Hysni Zogaj, anëtar i Bordit në OAK, i cili ka thënë se pas 10 vitesh nga sirtarët po nxirret ligji që do të ndikojë pozitivisht në sektorin e bujqësisë.

Ai bëri të ditur se kanë marrë premtime nga ministrja Zhiviq që kërkesat e tyre do të plotësohen.

Ai tha se sot para Ministrisë kanë ardhur një numër i bizneseve për ta paraqitur pakënaqësitë e tyre, derisa tha se kërkesë e tyre e vetme është që të gjitha udhëzimet administrative që bien ndesh me ligjin të hiqen.

Zogaj tha se ministrja e Bujqësisë Dijana Zhiviq ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojnë me OAK që të mënjanojnë të gjitha pengesat me të cilat përballen bizneset e këtij sektori.

Ndërkaq, në rast se deri më datën 2 maj nuk bëhet shfuqizimi i udhëzimeve administrative që OAK vlerëson se po pengojnë të bërit biznes, ai tha se do të marrin masa, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e protestave.

Oda e Afarizmit të Kosovës edhe më herët ka zhvilluar takim me ministren e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ku kanë paraqitur kërkesat e bizneseve të sektorit të bujqësisë./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress