Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Martë, 21.01.2020 05:06

​Ngërçi politik në vend krijoi dëme të mëdha ekonomike që nuk riparohen me vite

Prishtinë | 13/01/2020 16:11

Kriza politike në Kosovë si pasojë e vonesës në formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit, ka krijuar efekte shumëdimensionale në fushën e ekonomisë dhe pritet që ky do të jetë një vit i vështirë për vendin tonë.

‘Ngërçi’ politik me të cilin po ballafaqohet shteti ynë tash e sa muaj, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka efekte negative në të gjitha proceset në shoqëri në përgjithësi, por edhe të ekonomisë në veçanti.

Rukiqi në një intervistë për KosovaPress deklaron se është hera e tretë që vendi ka situatë të tillë me vonesa pas zgjedhore për konstituimin e qeverisë, që sipas tij, po e bënë të pamundshëm funksionimin e qeverisë dhe parlamentit.

Ky vakum institucional sipas Rukiqit nuk paraqet problem vetëm për buxhetin e shtetit, por rreziku është edhe te depresioni ekonomik që paraqet pasoja në mbarë shoqërinë.

Kreu i OEK shton se në bazë të hulumtimeve të bëra më parë, edhe në periudhat e kaluara kur ka pasur ngërçe politike dhe gaz-lotsjellës në kuvend, ka pasur një ulje të dukshme të konfidencës të të bërit biznes vend, edhe nga ana e kompanive vendore dhe ato të huaja, andaj këto rrethana politike aktuale reflektojnë në gjithë sektorët.

Rënia e investimeve të huaja, papunësisë dhe eksporteve, sipas Rukiqit janë elementet që ndërlidhen me situatën aktuale në vend dhe riparimi i këtyre dëmeve merr kohë me vite.

Madje, sipas kreut të OEK ka një tendencë të rritjes së emigrimit në përgjithësi për shkak të një mungesë të perspektivës për të rinjtë në Kosovë.

Rukiqi po ashtu thotë se në tre-katër vjetët e fundit ka pasur më tepër politika që më shumë shërbejnë për konsum ditor, por jo që e çojnë përpara agjendën zhvillimore të vendit.

Qeveria Haradinaj është në dorëheqje që prej muajt korrik të vitit ta kaluar, përderisa zgjedhjet janë mbajtur më 6 tetor dhe ende nuk është formuar qeveria e re për shkak të mos pajtimeve të dy partive më të mëdha të dala nga zgjedhjet parlamentare, e të cilat janë në negociata për më shumë se tre muaj. /KosovaPress/

 

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress