Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 19.07.2019 02:37

​Nga java e ardhshme nis intervistimi i dëshmitarëve lidhur me hetimin për PTK-në

Prishtinë | 23/04/2019 13:33

Komisioni Hetimor Parlamentar ka vendosur të ftojë për të enjten në raportim kryeshefin ekzekutiv dhe kryesuesin e Bordit të Telekomit për të pasqyruar gjendjen në këtë ndërmarrje dhe po ashtu vendosën që me një shkresë zyrtare të kërkojnë nga Telekomi pezullimin e çdo aktiviteti për kontratën e re me “Z-mobil”.

Kryesuesi i Komisionit Visar Ymeri theksoi se menaxhmenti duhet të raportojë këtë javë për gjendjen në Telekom, por jo si dëshmitar, derisa paralajmëroi se  nga java e ardhshme do të fillohet me intervistimin e dëshmitarëve, të cilët janë të kategorizuar lidhur me hetimin për Valën dhe PTK-në.

Sipas tij, shumica e intervistave me dëshmitarë do ta mbahen në maj dhe qershor, ndërkohë që propozoi dy mënyra për hetimin e PTK-së.

Anëtarët e Komisionit vlerësuan që në listë të futen për dëshmitarë edhe përfaqësuesit politik dhe menaxhmenti, që mund të jenë ish-kryeministra, ish-ministra gjatë periudhës së skandaleve që kanë ndodhur në këtë kompani.

Deputeti Armend Zemaj, tha se problemi në kompanitë publike ka filluar që nga shpallja e pavarësisë, kur ka filluar bartja e përgjegjësive te vendorët.

Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu ka kërkuar Komisioni Hetimor që të kërkohet nga menaxhmenti i Telekomit që mos të ripërtërihet kontrata me Z-Mobile, meqenëse është edhe kërkesë e punëtorëve dhe sindikatës së kësaj kompanie.

Kryesuesi i Komisionit Ymeri theksoi se kontrata me Z-Mobile duhet të ndërpritet, përndryshe komisioni kot e heton kontratën e nënshkruar më parë.

Edhe Bekim Haxhiu ka kërkuar që menaxhmenti aktual i Telekomit duhet të tregohet i kujdesshëm për vazhdimin e kontratës me “Z-mobile”.

Ndërsa, deputetja Blerta Deliu Kodra tha se Komisioni hetimor duhet të veprojë në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive për çdo veprim. Ajo mendon se duhet të ketë një hetim të drejtë.

Anëtarët e Komisionit Hetimor vendosën që me një shkresë zyrtare të kërkojnë nga menaxhmenti i Telekomit, pezullimin e çdo aktiviteti për kontratën e re me “Z-mobil”. /KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress