Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 07.12.2019 04:26

​NewCo Ferronikeli: Punëtorët janë kthyer në vendet e punës, prodhimi po vazhdon sipas planit

Prishtinë | 14/11/2019 15:28

Menaxhmenti i Kompanisë NewCo Ferronikeli Complex LLC, pas organizimit të grevës së punëtorëve që ka rezultuar me ndërprerjen e prodhimit, ka sqaruar opinionin lidhur me gjendjen reale aktuale.

Në një deklaratë për media thuhet se Menaxhmenti në bashkëpunim me Sindikatën e punëtorëve të NewCo Ferronikelit, ka marrë vendim që secili i punësuar të përfitojë nga skema e planifikuar e bonuseve.

“Sipas kësaj skeme punëtorët çdo muaj, përveç pagës, të cilën e marrin me rregull do të përfitojnë edhe bonuse shtesë. Kjo do të varet nga performanca e secilit punëtor dhe realizimi i planit të përcaktuar mujor.  Ne si menaxhment, jemi të bindur se kjo do të ndikojë në përmirësimin e performancës së punëtorëve dhe ngritjen e produktivitetit”, thuhet në deklaratë. 

Menaxhmenti i kompanisë thotë se në vazhdimësi janë duke punuar për përmirësimin e kushteve të punëtorëve sipas standardeve të larta ndërkombëtare duke filluar nga pajisjet për mbrojtje në punë, ushqimi cilësor në punë, transporti, përkujdesja mjekësore, lavanderia për larjen e rrobave të punës, pagesa e orëve shtesë, pushimi me pagesë si dhe respektimi i Ligjit të punës.

“Për këtë arsye, duam të theksojmë se kërkesa e vetme e punëtorëve ka qenë rritja e pagës prej 100 eurosh për punonjës dhe asnjë arsye tjetër. Vlen të theksohet se paga mesatare e punonjësve të NewCo Ferronikeli është 550 euro, ndërsa paga më e ulët është 400 euro. Fatmirësisht, pas takimeve të zhvilluara me sindikatën e punëtorëve të NewCo Ferronikelit, punëtorët janë rikthyer në vendet e tyre të punës dhe prodhimi është duke vazhduar sipas planit”, njofton Menaxhmenti i Ferronikelit.

Kujtojmë se kohë më parë, punëtorët e Ferronikelit kanë mbajtur grevë me kërkesë për përmirësimin e kushteve të punës, ngritje pagash dhe përmirësimin e sigurisë në vendet e tyre të punës.

Kompania NewCo Ferronikeli është marrë në posedim të Grupit Balfin rreth një vit më pare dhe vendimi i parë i menaxhmentit të ri ishte t’iu paguajë punonjësve pagat e prapambetura dhe të papaguara.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress