Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Premte, 22.11.2019 08:07

​Ndërtuesi banesor bezdis banorët e lagjes së Muhagjerëve gjatë natës me punime

Prishtinë | 21/10/2019 18:15

Mbrëmë banorët e lagjes së Muhagjerëve në Prishtinë deri në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ishin të shqetësuar nga zhurma dhe prishja e rendit dhe qetësisë nga kompania ndërtimore “Trio Contruction”, për shkak të ndërtimit të objekteve banesore. Për këtë, Policia e Kosovës ka intervenuar dhe shqiptuar flet paraqitje kompanisë në fjalë, por ndërtuesi as pas ndërhyrjes së policisë nuk ka ndalur punimet.

Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha thotë për KosovaPress, se bazuar në të dhënat e PK-së, bëhet fjalë për prishje të rendit dhe qetësisë publike në rrugën “Lordi Bajron’’, në Prishtinë, ku policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, ku në lidhje me zhurmën e shkaktuar, kompanisë i është shqiptuar fletëparaqitje.

Për këto bezdisje publike, tregojnë edhe qytetarët me video-incizimet e tyre.

Ndërsa, pronari i kompanisë “Trio Contruction”, nuk e mori përgjegjësinë për bezdisje, për çka i tha KosovaPress-it, prapa kamerës se i ka njoftuar banorët e kësaj lagjeje me anë të një fletushke të vendosur nëpër shtyllat elektrike, se më 20 tetor rruga “Naim Frashëri” do të jetë e mbyllur për shkak të betonimit të pllakës së themelit, ndonëse banorët me anë të kësaj letre nuk janë njoftuar edhe për zhurmën që do të shkaktohet nga kjo kompani në lagjen e Muhagjerve.

Ndërsa, drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri theksoi për KosovaPress, se bezdisjet publike nga ora 22:00 e deri në orën 07:00, gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00, janë përgjegjësi e Policisë së Kosovë dhe Inspektorati i Punës, që është e rregulluar me ligjin për rendin dhe qetësinë publike.     

Ai veçoi nenin 8 për bezdisjet publike– shkeljet që kanë të bëjnë me zhurmën. Në të cilin nen thuhet se kushdo që shkakton zhurmë të panevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet te banorët përreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00, gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00, të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje. Ndërsa, për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, Tahiri shprehet se përgjegjës janë policia.  

Valon Leci, ushtrues detyre i kryeinspektorit të Punës për KosovaPress, tha se ligji i punës, por edhe ligji për shëndet dhe siguri në punë nuk përcakton ndonjë kohë të caktuar brenda ditës se kur mund të punohet ose kur jo.

Banorët po ashtu kanë theksuar se ndriçimi në vend punishte ka qenë i dobët, për çka kanë qenë të rrezikuar edhe punëtorët në orët e vona.

Për shkelje të të drejtave të punëtorëve nga ana e kësaj kompanie, Leci thotë se nuk kanë pasur informata. Sipas tij, po të ishin të informuar që është duke u punuar në kushte të pafavorshme për punëtorët, do të intervenonin.

Duke folur për sigurinë dhe shëndetin në punë, Leci deklaron se prej muajit janar deri në shtator të këtij viti, nëntë qytetarë kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërsa, krahasor me vitin e kaluar trendi i të aksidentuarve në vendin e punës është në rënie.

Sipas tij, vetëm në vitin e kaluar kanë humbur jetën në vendin e punës 22 punëtorë, kryesisht në sektorin e ndërtimeve.

Ndërsa, Inspektorati i Punës gjatë këtij viti ka gjobitur mbi 100 kompani deri në 35 mijë euro./KosovaPress/

    

 

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress