Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 17.07.2019 09:41

​Malushaj: Paqëndrueshmëria frikëson investitorët

Prishtinë | 19/01/2019 13:13

Rënia e investimeve të huaja në vitin që lamë pas po vlerësohet të jetë rezultat i mungesës së ofertës së mirëfilltë dhe mungesës së një ligji efikas për të investuar në Kosovë. Ndërsa një nga shkaktarët tjerë del të jetë edhe marketingu i dobët vendor në vendet evropiane.

Për t’iu qasur tregut në vendin tonë, më të vështirë e kanë investitorët të cilët nuk kanë pasur lidhje të mëparshme këtu.

Për Bashkim Malushajn, investitor nga Gjermania, i cili ka të themeluar në Prishtinë biznesin “Evroenergie”, një marketing i mirë do të sillte më shumë investitorë në vend.

Kjo pasi sipas tij, mungesa e promovimit të kushteve dhe mundësive për investime në vend po pamundëson promovimin edhe të atyre kushteve të mira që veçse janë.

Malushaj në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se këtu mund të bëhet shumë, duke pasur parasysh potencialin që ka rinia.

Mungesa e përcaktimit të saktë të shifrave, sipas tij, paraqet problem themelor për investitorët e jashtëm.

“Duhet me qenë shumë të qartë me investitorët e huaj. Jo: ‘ia bëjmë diqysh’, ose ‘këqyrim’, por: ‘kjo bën’, ‘kjo nuk bën’. Kur thua: ‘kjo bënë’, duhesh me ia kriju kushtet saktë dhe me i thënë ‘nëse investon , kaq duhet me qenë investimi’ etj, por edhe duhet me e mbajt fjalën pastaj. Duhet me qenë shumë të qartë dhe shumë të përpiktë. Kjo është diçka që e vërej në Kosovë, do të thotë shumë sipërfaqësisht: ‘hajt se ia bëjmë diqysh, e gjejmë një mundësi’, kur vjen investitori, vjen dhe mendon se i gjen saktë shifrat, por kur vjen nuk i ka të qarta, shumë janë lëvizëse, ajo shumë e frikëson investitorin gjerman”, u shpreh ai.

Fakti se fëmijërinë e hershme e ka kaluar në Kosovë, sipas tij, përbën një favor, pasi e ka ndihmuar të njoh më mirë rrethanat në vend.

Ndërsa në kompaninë të cilën e udhëheq, tregon se ka një numër të konsiderueshëm punëtorësh më të cilët bashkëpunojnë shumë mirë. Teksa tregon se cili është orientimi që duhet të marrë ekonomia kosovare.

Malushaj fton rininë dhe qytetarët të cilët njohin gjuhën gjermane dhe që kanë njohuri në drejtimin e softuerëve dhe developerave që lajmërohen në “Evroenergie”.

Ai shprehet optimist se mund të rriten investime të  huaja nëse ka një promovim më të mirë të kushteve dhe mundësive që ka në Kosovë, duke u munduar çdoherë në ofrimin e një klime sa më të përshtatshme të të bërit biznes./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress