Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 19.04.2019 09:19

​Lipjani në hall me Ministrinë e Infrastrukturës, kërkon llogari për projektet që s’u realizuan

Prishtinë | 13/04/2019 11:42

Komuna e Lipjanit është në fazën e implementimit të disa projekteve të ndryshme të parapara me buxhet. Por i pari i këtij qyteti, Imri Ahmeti thotë se po kanë probleme me Ministrinë e Infrastrukturës, pasi kjo e fundit nuk i ka zhvilluar projektet e parapara me buxhet të vitit të kaluar.

Ahmeti thotë për KosovaPress se nuk mund të evidentojnë ndonjë problem shqetësues në implementimin e memorandumeve, ndërsa shton se Ministria e Infrastrukturës është kompetente për të sqaruar arsyen e mosimplementimit të projekteve të parapara.

Për më tepër, ai thotë se kjo e fundit duhet të jap përgjegjësi pasi si komunë kanë kryer të gjitha obligimet në raport me këto projekte.

Për Ahmetin, ky është mandati i dytë në krye të qytetit. Megjithatë, kur flet për punët që janë bërë, me modesti thotë se është akoma herët për të ditur nëse do të mund të implementohet gjithë agjenda e paraparë me buxhet të komunës.

Ndërsa, shprehet optimist se deri në vjeshtën e këtij viti do të përmbyllen projektet që janë për këtë vit.

Sa i përket realizimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatës, thotë se do të shihet me kohë nëse do të arrijnë t’i realizojnë të gjitha.

Ai ka folur edhe për bashkëpunimin me dy komunat arbëreshe të Italisë, duke dhënë detaje për memorandumin e binjakëzimit me komunat Frascineto dhe Civita.

Për qytetin e Lipjanit, një rëndësi të jashtëzakonshme ka parku i biznesit, i cili zë një vend të veçantë në planet komunale për zhvillim. Për këtë qëllim, tash së voni kjo komunë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Tregtisë për investime të fazës së dytë në parkun industrial - Qylagë.

I pari i qytetit, thotë se ky projekt do të finalizohet brenda 2 viteve të ardhshme.

Ahmeti ka folur edhe për kuotën gjinore, me ç’rast ka theksuar se sikurse në partinë e tij, LDK-n, po ashtu edhe në komunë, ka një numër të konsiderueshëm të grave dhe vajzave që sipas tij, marrin mbështetjen e publikut me punën e vet.

E megjithëkëtë, ai shprehet pro kuotës, pasi thotë se Kosova ndodhet në demokraci fillestare.

Krejt në fund, ai ka folur edhe për taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, ku ka thënë se komunat e kanë të vështirë të nxjerrin një konstatim të matshëm lidhur me efektin e saj për bizneset vendore. Ndërkohë ka shtuar se nga publiku, kjo tarifë është vlerësuar të jetë veprim popullist./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress