Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 18.09.2019 04:42

​Ligji i pagave, punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë ‘terr për Kosovën’

Prishtinë | 12/09/2019 13:51

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës edhe sot përmes protestave kanë kundërshtuar përfshirjen e tyre në ligjin e pagave. Duke e konsideruar këtë ligj si diskriminues, ata paralajmëruan protesta radikale në rast se nuk largohet nga ky ligj.

Përmes kësaj proteste, e cila u mbajt para Termocentralit Kosova A, ata kanë kërkuar edhe rivitalizimin e këtij termocentrali.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Selatin Sadiku tha se bazuar në informacioneve që kanë përmes Ligjit të Pagave, pagat e punëtorëve të KEK-ut do të ulen mbi 50 për qind.

Ai ka paralajmëruar greva të përgjithshme nëse vazhdojnë të jetë tutje pjesë e Ligjit të Pagave.

Madje ka folur edhe për rivitalizimin e Termocentralit Kosova A për çka the se me një investim të vogël nga Qeveria e Kosovës do mund të bëhet funksional, pa ndikuar në çmimin e energjisë elektrike.

Ndërsa, nënkryetari i Shoqatës Sindikale të Termocentralit Kosova A, Haxhi Kastrati  tha se ndonëse Kosova A është e stërvjetruar,  ajo po prodhon mbi 300 megavat orë energji elektrike për Kosovën.

Sipas tij punëtorët e KEK-ut nuk mund të krahasohen me shërbyesit civilë dhe po ashtu nuk mund të kenë paga të njëjta, pasi që dallojnë kushtet me të cilat ata punojnë.

Kundër përfshirjes së punëtorëve të KEK-ut në Ligjin e Pagave u shpreh edhe nënkryetari i Sindikatës së RE të KEK-ut, Nexhat Llumnica i cili e ka quajtur të pakuptim përfshirjen e punëtorëve të KEK-ut në këtë ligj, duke paralajmëruar njëherësh se nuk do ta pranojnë si të tillë.

Sipas tij, nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, Kosova do të mbesë në terr.

Kujtojmë që kundër përfshirjes së punëtorëve të KEK-ut në Ligjin e Pagave vetë punëtorët patën protestuar edhe disa herë të tjera. Madje ata përmes Sindikatës së Re të KEK-ut u patën dërguar edhe letra institucioneve përgjegjëse përmes të cilave kanë kërkuar sqarime rreth përfshirjes së tyre në këtë ligj i cili pritet të hyjë në fuqi në dhjetor, ndërsa u votua në fillim të këtij viti. /KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress