Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 21.07.2019 05:40

​Kosova rrezikon të humbë miliona euro, AKP paditet në Arbitrazh

Prishtinë | 20/04/2019 13:50

Republika e Kosovës sërish në Arbitrazh, kësaj radhe nga kompania kroate “Iming” D.O.O., e cila ka iniciuar padi ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) në këtë gjykatë ndërkombëtare për mos kompensimin e investimeve që i ka bërë kjo kompani në Minierën Industria e Magnezit (MIM) Golesh. Në Zyrën e Kryeministrit thonë se duhet të angazhohen përfaqësues ligjor për t’u mbrojtur, ndërsa Kuvendi zgjedhë heshtjen.

Avokati Granit Vokshi, përfaqësues i autorizuar nga kompania “Iming” pret që ky tribunal do ta vlerësojë  situatën në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse kërkesa është e arsyeshme, e drejtë dhe e mbështetur në ligj.

Avokati Vokshi konsideron se kërkesa e klientit është e arsyeshme dhe e drejtë dhe si e tillë të gjitha provat shkojnë në favor të kompanisë “Iming”, meqenëse, sipas tij, tri instanca gjyqësore, dy të Dhomës së Posaçme si dhe Gjykata Kushtetuese ia kanë njohur të drejtën e kompensimit të dëmit në raport me investimet, të cilat i ka realizuar në këtë kompani.

Avokati Vokshi për KosovaPress thotë se procedurat e tilla të Arbitrazhit po paraqesin një rrezik serioz për Buxhetin e Republikës së Kosovës. Sipas tij, kërkesa fillestare, është në shumë 18 milionë euro për investimet të cilat janë të njohura nga vet Administrata Tatimore e Kosovës, ndonëse siç tha ai, kësaj shume do t’i shtohet edhe interesi vjetor.

Kryesuesi i Njësisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Agjencinë Kosovare të Privatizimit(AKP), Veton Hajdini duke pranuar se si Agjenci do të përballen me drejtësinë ndërkombëtare, thotë se AKP konfirmon se të gjitha veprimet e saj janë mbështetur në proceduat ligjore ashtu sikurse janë konfirmuar edhe nga të gjitha instancat gjyqësore në Republikën e Kosovës.

AKP nuk është përgjigjur për rrezikun financiar që mund ta ketë nga Arbitrazhi.

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Haki Shatri, thotë për KosovaPress se institucioni përkatës, në këtë rast AKP-ja, duhet që nëpërmjet përfaqësuesit të saj të argumentojë me dëshmi për ligjshmërinë e vendimit të marrë në atë kohë nga Agjencia.     

Shatri nuk pret që në betejën me drejtësinë ndërkombëtare të humbë AKP. Këshilltari i kryeministrit është i vetëdijshëm se mbrojtja në Arbitrazh ka edhe një kosto financiare.

Ndërsa, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës si themelues i AKP-së, nuk janë përgjigjur për KosovaPress. 

Kompania Iming ka angazhuar avokatët Arianit Koci, Granit Vokshi dhe Ahmet Kasumi, që ta përfaqësojnë procedurën Arbitrazhit e cila do të zhvillohet kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit lidhur me kthimin e investimeve të bëra në kompaninë Mim Goleshi e cila ishte privatizuar në vitin 2006 nga e njëjta kompani.

Arbitri i kompanisë "Iming" është një profesor i të drejtës ndërkombëtare private, dhe i të drejtës komerciale nga Kroacia./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress