Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 24.10.2019 02:58

​Gjysma e bizneseve në veri të Mitrovicës veprojnë ilegalisht, buxheti humb miliona euro

Prishtinë | 13/04/2019 13:45

Rreth gjysma e bizneseve që veprojnë në veri të Mitrovicës, nuk janë tatimpagues të rregullt në Administratën Tatimore të Kosovës. Humbjet llogariten të jenë të mëdha ndër vite nga evazioni fiskal në tri komunat e Mitrovicës në veri.

Përfaqësues të bizneseve për rajonin e Mitrovicës, thonë se buxheti i shtetit të Kosovës ka humbur dhjetëra milionë euro ndër vite nga evazioni fiskal në pjesën veriore. Ndërsa, drejtues të ATK-së nuk kanë të dhëna se sa mund të jenë humbjet financiare në atë pjesë nga tatimpaguesit jo të rregullt.

Drejtori i Departamentit të Administratës së Financave në Odën Ekonomike të Kosovës, njëherësh koordinator i Njësisë Rajonale të Mitrovicës, Rrustem Abiti thotë për KosovaPress, se shumë biznese në veri të cilat funksionojnë në forma ilegale, përveç që nuk ia paguajnë tatimet ATK-së, iu përgjigjen institucioneve të Serbisë.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj thotë për KosovaPress,  numri i bizneseve të rregullta nga komuniteti serb në veri është mbi një mijë, që sipas tij, nuk është numër real.

Mirëpo, Murtezaj nuk ka informacione se sa biznese jo të rregullta operojnë në veri të Mitrovicës.

Ndërsa, zëdhënësi i Doganës së Kosovës thotë për KosovaPress se biznese të ndryshme në veri të Mitrovicës janë zënë gjatë tentim kontrabandimit, përmes rrugëve malore, si nga pjesa veriore, ashtu edhe nga pjesë të tjera.

Në periudhën e fundit, Dogana ka zënë mbi 20 raste të kontrabandimit në veri të Mitrovicës, prej tyre pesë mauna me mallra ushqimore.

Ekipi i KosovaPress ka qëndruar në pjesën veriore, ndonëse pronarët e bizneseve në atë pjesë nuk kanë dëshiruar të flasin, për shkak të pasojave që mund t’i kenë nga komuniteti i tyre./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress