Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 19.07.2019 05:36

​Edhe sivjet Festivali i Birrës me numër më të madh të vizitorëve

Prishtinë | 09/07/2019 16:31

Për Festivalin e Birrës dhe Verës ‘’Beer and Wine Festival Prishtina’’ që u mbajt për katër net me radhë në platonë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, flasin organizatorët dhe prodhuesit e pijeve alkoolike dhe jo alkoolike që kanë marrë pjesë në edicionin e shtatë me radhë.

Organizatori i festivalit Besnik Ejupi thotë për KosovaPress se për dallim nga edicionet e kaluara, këtë vit organizmi dhe mbarëvajtja në përgjithësi ka qenë e qetë dhe pa probleme të theksuara.

Sipas Ejupit, risi në këtë edicion jubilar ishte programi artistik, pasi që festa e muzikës, verës dhe birrës është  përcjellë nga bende të ndryshme.

Skena sikurse viteve të kaluara ishte e hapur për artistët dhe bendet e reja, derisa kanë performuar grupe dhe artistë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria.

Në këtë festival përveç muzikës, qëllim tjetër ishte edhe  promovimi i produkteve vendore.

Për më tepër, në çdo natë të festivalit ka pasur lojëra të ndryshme garuese me birra, që janë përcjell me shpërblime të ndryshme për fituesit.

Çmimi i biletës për çdo person ka qenë 1 euro, kurse për birra dhe verë nga 0.50 euro, duke mos përjashtuar ‘Happy Hour’ dhe shpërblime të shumta.


“Mbarëvajtja e deritashme e festivalit ka shkuar në mënyrë të rregullt, të qetë. Krahas viteve të kaluara kemi vërejtur mosha të ndryshme, por kanë ardhur edhe prindër të ndryshëm gjë që tregon një civilizim në kuptim që nuk po shihen vetëm ata të moshës 18 e 25 vjeçare. Një ambient i mirë ku ka zhanre të ndryshme të muzikave, birra të llojllojshme rreth 15 dhe verëra rreth 6. Rrjedhimisht një atmosferë ku zhanret e muzikave ndërrohen brenda një nate për shkak se ka shumë vizitorë për me qenë të gjithë të kënaqur”, pohon Ejupi.

Sikur herëve të tjera përafërsisht në këto katër ditë kanë qenë hyrje operative, ndërsa kanë marrë pjesë rreth 5 mijë vizitorë që në krahasim prej edicioneve të kaluara sipas Ejupit, këtë vit ka pasur incidente shumë më pak, ngaqë ka një vetëdijesim të shtuar te pjesa e qytetarëve për argëtim.

Birra Peja në këtë festival  kishte një skenë më të veçuar. Fitim Kryeziu menaxher në Birra Peja deklaron se misioni i tyre është të sjellin gjithmonë më të mirën për konsumatorë, sipas të cilit sivjet në këtë edicion ka pasur më shumë vizitorë.


“Birra Peja si çdo vjet sjell risi, sivjet e kemi sjell urën e Rugovës, e cila simbolizon në një farë forme edhe logon e Birra Pejës. Si gjithmonë kemi shumë vizitorë për arsye se e kemi edhe hapësirën më të madhe që ofron një komoditet vizitorëve. Sivjet ka më shumë vizitorë, sidomos dje ka pasur shumë. Ka pasur disa incidente të vogla që kanë kaluar, te ne jo si Birrë e Pjesë, por intervenimi i policisë ka qenë mjaft i shpejt. Ne jemi shumë të kënaqur me organizimin besoj se gjithçka ka me përfunduar mirë. Ne jemi shumë të kënaqur dhe po besoj të rinjtë po e shijojnë Birrën e Pejës që është e vendit tonë”, theksoi Kryeziu.

 

Ndërsa, Beqir Lokaj, menaxher i shitjes në “Stone Castle” që mori pesë për herën e tretë në këtë festival me verëra të ndryshme, thotë se për ka pasur interesim jashtëzakonisht të madh nga të rinjtë për pijet e “Stone Castle”.

Sipas Lokajt, kjo kompani vendore që gjendet në Rahovec në vazhdimësi nga viti në vit është duke rritur kapacitetet prodhuese.


“Prej vitit të kaluar e deri më tash çdo herë ka pas interesim më të madh të të rinjve sidomos për raki dhe të tjera. Për rakia më të forta ka qenë interesimi më i madh. 

Organizmi ka qenë perfekt, s’ka vërejtje, siç do vit organizmi është në nivel pa probleme pa incidente.  Çdo herë edhe numri i vizitorëve është në rritje, ndoshta vitin tjetër duhet me ndodhë lokacioni diku tjetër ku hapësira është më e madhe”, theksoi Lokaj.

Pjesëmarrës në këtë festival ishte edhe kompania “Golden Eagle” e cila ofroi për pjesëmarrësit pije energjike dhe pije tjera.

Megjithatë, festivali ‘’Beer and Wine Festival Prishtina’’ dje në orët e mbrëmshme është vizituar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë  Endrit Shala me bashkëpunëtorë dhe ka urdhëruar mbylljen e festivalit, që sipas ministrit Shala pas ankesave të shumta nga qytetarët dhe për shkak të shkeljeve të evidentuara respektivisht lejimit të hyrjes dhe konsumimit të pijeve alkoolike nga persona të mitur nën moshën 18 vjeç, ka urdhëruar inspektoratin e tregut të MTI-së që të bëjë inspektim të jashtëzakonshëm në këtë organizim dhe pas inspektimit dhe gjetjeve të bëra, Inspektorati  mori vendim ta mbyllë aktivitetin ‘’Beer and Wine Festival Prishtina’’, i cili ishte paraparë të mbahet edhe sonte në natën e pestë./KosovaPress/


Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress