Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 18.06.2019 09:40

​ECB shtyn rritjen e normave të interesit deri në mes të 2020

Vilnus | 06/06/2019 17:25

Banka Qendrore Evropiane (ECB) njoftoi sot se do të shtyjë rritjen e parë të normës së interesit të saj deri në mes të vitit të ardhshëm dhe do të vazhdojë të mbështesë aktivitetin kreditues të bankave, si pjesë e përpjekjeve të fundit për të ringjallur ngadalësimin e ekonomisë së eurozonës.

Në përgjigje të përkeqësimit të mprehtë në pritjet e inflacionit, ECB u zotua të mbajë normat e interesit në nivelin aktual, të ulët, të paktën deri në gjysmën e parë të vitit 2020, në vend të deri në fund të këtij viti, siç është planifikuar nga institucioni në mars.

Me këtë do t'u lejohet bankave të huazojnë fonde nga ECB me një normë interesi që është vetëm 10 pikë bazë më e lartë se norma e interesit të ECB-së për depozitat prej minus 0.4 për qind, brenda raundit të ri të kredive ultra të lira të atij institucioni, përkatësisht programit të njohur si TLTRO, transmeton KosovaPress.

Veprimet e fundit nga ECB, të cilat janë më të guximshme sesa pritjet e analistëve, vijnë në mes të një lufte tregtare midis SHBA-së dhe Kinës që "hedhin hije" në rritjen e ekonomisë globale dhe në veçanti rritjen e anëtarëve të eurozonës të orientuar nga eksporti, si Gjermania.

ECB po ashtu ka rritur parashikimet e saj të rritjes dhe inflacionit për 2019, por ka ulur parashikimet paksa për dy vjetët e ardhshëm, duke pranuar se ekziston rreziku që ngadalësimi i Evropës të jetë më i gjatë dhe më i thellë nga sa pritej.

Sipas parashikimeve të reja të ECB-së, inflacioni në eurozonë pritet të rritet me 1.2 për qind këtë vit (në mars parashikoi 1.1 për qind), dhe në vitin e ardhshëm dhe 2021, do të ketë rritje 1.4 për qind, në vend të vlerësimit të marsit prej 1.6 për qind dhe 1.5%, respektivisht.

Sa i përket inflacionit, parashikimi i vitit aktual është rritur në 1.3 për qind krahasuar me 1.2 për qind në mars, ndërsa për vitin e ardhshëm është reduktuar nga 1.5 në 1.4 për qind, ndërsa për vitin 2021 është ruajtur 1.6 për qind.

ECB njoftoi gjithashtu se norma e interesit në operacionet kryesore të ri-financimit do të mbetet zero dhe norma e ri-financimit margjinal është 0.25%.

Normat e interesit të përmendura janë në një nivel rekord të ulët që nga kriza e borxhit të eurozonës më 2011, si pjesë e një përpjekjeje për të nxitur rritjen.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress