Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 20.05.2019 12:02

​Demistifikimi i Shkallës së Papunësisë

Prishtinë | 11/04/2019 17:01

Endrit Pllashniku, Ligjërues i Statistikës dhe Analizës së të Dhënave në Kolegjin Riinvest

Nga : Endrit Pllashniku – Ligjërues i Statistikës dhe Analizës së të Dhënave në Kolegjin Riinvest Themelues i platformës www.kosovodata.com  

Tema e shkallës së papunësisë shpesh diskutohet në diskursin politik dhe medial. Ky tregues i rëndësishëm i performancës së tregut të punës shpesh herë është treguar të jetë problematik për t’u kuptuar në thelb se çfarë përfaqëson si i tillë. 

Duke u bazuar në vrojtimet e diskutimeve rreth shkallës së papunësisë, e shprehur në përqindje, duket se ka një kuptim të mjegulluar nga publiku i gjerë rreth mënyrës se si llogaritet shkalla e papunësisë.

Prandaj, qëllimi i këtij shkrimi është që përmes vizualizimit të të dhënave të tregut të punës në Kosovë të qartësojë se si llogaritet shkalla e papunësisë dhe se si ky numër magjik është i lidhur ngushtë me indikatorin tjetër kyç të tregut të punës, pjesëmarrjen në fuqinë punëtore.

Kur shkalla e papunësisë bie është intuitive të mendohet se kjo është një gjë e mirë që ka ndodhur në ekonomi, pra ulja e shkallës së papunësisë gjithmonë paraqitet si një arritje suksesi nga politik-bërësit. Mirëpo, shtrohet pyetja, a ka mundësi që të bjerë shkalla e papunësisë në qoftë se përgjatë një viti në ekonomi janë humbur më shumë vende pune se sa janë krijuar? Dhe nëse kjo është  e mundur atëherë a duhet që shkalla e papunësisë të ketë aq shumë vëmendje të madhe në raportimet mediale?

Së pari, të shohim se si bëhet matja e shkallës së papunësisë. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) realizon anketë me 3570 ekonomi familjare dhe përmes anketës nxjerrin rezultatet që janë përfaqësuese për tërë ekonominë e vendit.

Që nga viti 2012, ASK ka filluar përdorimin e metodologjisë së Eurostat në kryerjen e anketës së fuqisë punëtore. Nga viti 2012 deri në vitin 2015 anketa e fuqisë punëtore është realizuar në baza vjetore, pastaj nga tremujori i parë (Q1) i vitit 2016 është kryer në baza tremujore. Kjo është arsyeja pse të dhënat janë dhënë në baza vjetore për periudhën 2012-2015 dhe në baza tremujore për periudhën 2016-2018. Sipas metodologjisë së ASK-së këto janë definicionet e indikatorëve kyç që matin performancën e tregut të punës.

Agjencia e Statistikave të Kosovës i definon si:

1. Të punësuar: personat, të cilët gjatë javës referente (javës kur realizohet anketa e fuqisë punëtore) kanë bërë ndonjë punë për pagesë, fitim ose përfitim familjar, në të holla ose në natyrë, ose ata që mungonin përkohësisht në punën e tyre.

2. Të papunë: personat, të cilët gjatë javës referente:

Ishin

·         pa punë, d.m.th. nuk ishin të punësuar me pagesë ose të vetëpunësuar;

·         Aktualisht ishin të gatshëm për punë, d.m.th. ishin të gatshëm të fillojnë punë me pagesëose vetëpunësim brenda dy javësh; dhe 

·         Kërkonin punë, d.m.th. kishin ndërmarrë hapa specifikë gjatë katër javëve të fundit në kërkim të punësimit me pagesë ose vetëpunësimit.

3. Persona joaktivë: personat, të cilët gjatë periudhës referente nuk ishin as të punësuar e as të papunësuar.

4. Fuqia punëtore: numri i popullsisë në moshë pune, që angazhohet në mënyrë aktive në tregun e punës, pra numri i të punësuarve dhe të papunësuarve së bashku.

5. Shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore: Raporti i fuqisë punëtore (të punësuarit dhe të papunët) ndaj popullsisë në moshë pune, i shprehur si përqindje.

6. Shkalla e papunësisë: Raporti i numrit të të papunëve ndaj fuqisë punëtore, i shprehur si përqindje.

Duke përdorur të dhënat e nxjerra nga Anketa e Fuqisë Punëtore 2018, ky vizualizim i të dhënave tregon trendet e shkallës së papunësisë në Kosovë dhe lidhjen në mes të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, numrin e vendeve të punës të krijuara ose të humbura, dhe shkallën e papunësisë.

Në grafikun 1 me titull “Shkalla e papunësisë vs Nr i vendeve të punës të krijuara dhe të humbura (2012-2018)”, tregohet se si shkalla e papunësisë ka ndryshuar në Kosovë për periudhën 2012-2018. 

Shtyllat me ngjyrë të kuqe tregojnë numrin e net vendeve të punës të humbura kurse ato me ngjyre të kaltër numrin e net vendeve të punës të krijuara për secilën periudhë përkatëse (viti ose çerek-viti). Vija e kuqe e cila është mbivendosur mbi grafikun tregon trendin e shkallës së papunësisë.

Nëse fokusohemi në vitin 2015, vërejmë se gjatë kësaj periudhe janë humbur 26,568 net vende pune (kjo do të thotë se gjatë vitit 2014 ka pasur 26,568 vende pune më shumë në krahasim me 2015); Megjithatë, shkalla e papunësisë u zvogëlua nga 35.3%  sa ishte në 2014 në 32.9% në vitin 2015. Ky është një rezultat  jo-intuitiv, pasi që nëse humbën vendet e punës atëherë do të ishim të prirur të mendonim se norma e papunësisë do të rritej.

Për të kuptuar më mirë këtë rezultat jo-intuitivë, hapni grafikun e dytë të titulluar  “Ndërlidhja në mes të shkallës së papunësisë dhe fuqisë punëtore ” ku janë shtuar edhe të dhënat për ndryshimin në pjesëmarrjen e fuqisë punëtore (ndryshim në numri të punësuarve dhe të papunësuarve).

Mund të vërehet se gjatë kësaj periudhe kur shkalla e papunësisë ka rënë nga 35.3% në 32.9%, numri i personave në fuqinë punëtore ka rënë gjithashtu në mënyrë drastike (57,535 persona kanë lënë fuqinë punëtore gjatë vitit 2014, nga të cilët 26,568 të punësuar dhe 30,967 të papunësuar). Kjo supozohet të ketë ndodhur për shkak të migrimit që kishte ndodhur gjatë vitit 2015 në Kosovë.

Prandaj, për arsye se formula për llogaritjen e shkallës së papunësisë varet nga numri i personave të papunë dhe numri i personave të punësuar (të cilët së bashku përbejnë fuqinë punëtore), rrjedhimisht efekti i 26,568 vendeve të punës të humbura në shkallën e papunësisë është zbehur nga efekti i zvogëlimit të numrit të të papunësuarave për 30,967 (pra fuqia punëtore është zvogëluar për 57,535 persona) që ishte 2,1 herë më i lartë se numri i vendeve të punës të humbura.

I njëjti fenomen kishte ndodhur edhe gjatë tremujorit të parë (Q1) të 2018 gjatë të cilit ishin larguar nga fuqia punëtore 48,611 persona (pra ishin humbur 14,597 net vende pune dhe ishte zvogëluar numri i të papunësuarave për 34,103 persona) mirëpo shkalla e papunësisë kishte rënë nga 30.6% sa ishte në tremujorin e katërt Q4 2017 ne 26.5% në tremujorin e parë Q1 2018.

Pra, jo domosdoshmërisht shkalla e papunësisë mund të bjerë vetëm si rezultat i krijimit të vendeve të reja të punës, ajo mund të bjerë edhe nëse janë humbur vende të punës nëse gjatë të njëjtës periudhë është zvogëluar edhe numri i personave të papunësuar.

Prandaj, është shumë me rëndësi që të raportohet në media numri i net vendeve të punës të krijuara apo të humbura përgjatë tremujorëve e jo vetëm shkalla e papunësisë.

Në fund të fundit, ajo çfarë ka rendësi për një ekonomi është numri i vendeve të punës e jo shkalla e papunësisë si e tillë.

Për të parë më shumë vizualizime të  të dhënave vizitoni portalin www.kosovodata.com 


Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress