Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 09.12.2019 11:13

​Blakaj: Bizneset nga diaspora përballen me korrupsion në Kosovë

Prishtinë | 01/12/2019 12:13

Korrupsioni, mos funksionimi i gjykatave dhe brishtësia në funksionimin e ligjeve janë pengesat dhe arsyet kryesore që bizneset nga mërgata, të cilat janë një fuqi e madhe ekonomike, nuk po arrijnë të investojnë në Kosovë.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Evropë, Yll Blakaj, i cili shtoi se vonesa e zgjidhjes së kontesteve nëpër gjykata, është rreziku i parë për investitorët e huaj dhe atyre nga diaspora.

Klima e të bërit biznes, sipas Blakajt nuk është e kënaqshme asnjëherë, përderisa bizneset në vazhdimësi janë kontribuues të rritjes së punësimit dhe zhvillimit në Kosovë.

“Bizneset nuk ngopen me klimën e të bërit biznes, ne kërkojmë vazhdimisht më shumë punë rreth nesh, sepse ne krijojmë vend të punës, megjithatë problem numër një është zbatimi i ligjshmërisë. Kemi ligje të mira, kemi tatime të ulëta, kemi kontribute për punëtorë mjaft të ulëta, megjithatë kjo nuk mjafton. Ky është hendikep i parë që ligjet nuk zbatohen. Pra, në qoftë se kemi konteste ekonomike, ndarja e përgjegjësisë nëpërmes gjyqësorit zgjatë gjashtë shatë vjet, ku njëri prej partnerëve mundet mos me ekzistuar deri atëherë. Ky është rreziku numër një”, deklaroi Blakaj.

Ai thotë se dështimi i realizimit të projektit për pesë vjet për ndërtim i kombinuar edhe me shërbime, lë për të dyshuar se ka kërkesa për haraç nga ana e komunës së Prishtinës. 

Kreu i rrjetit të bizneseve shqiptare për Evropë, ka edhe një kërkesë për qeverinë e re të Kosovës, për një qendër të bizneseve nga diaspora, që do të jetë urë lidhëse e bizneseve shqiptare, Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Kjo për faktin, se sipas Blakajt, Ministria e Diasporës dhe ajo e Tregtisë e Industrisë nuk janë treguar efikase ndaj diasporës.

Qëllimi i Rrjetit, sipas tij, është rrjetëzimi i gjithë afaristëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë nëpër botë, që pastaj të nisin bashkëpunimet mes nesh, të rritemi e të fuqizohemi duke ndihmuar njëri – tjetrin përmes shkëmbimeve të punëve mes nesh, dhe qëllimi final është investimi në trojet tona.

Për investimet nga diaspora, Blakaj në fund thekson se prijnë Gjermania dhe Zvicra, shtete këto që janë promotor jo vetëm i ekonomisë së Kosovës, por edhe të Shqipërisë. /KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress