Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 19.08.2019 05:12

​Bizneset që nuk vendosin flamujt te produktet do të gjobiten

Prishtinë | 02/02/2019 11:44

Bizneset tashmë kanë filluar vendosjen e flamujve të origjinës së produkteve nëpër markete e tyre, por shenjëzimi i tyre ende nuk ka përfunduar. Ndërsa për ata që nuk e respektojnë këtë udhëzim administrativ Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka paralajmëruar ndëshkime.

Vendimi për vendosjen e flamujve te produktet u morë më 29 dhjetor të vitit të kaluar, teksa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kishte nënshkruar udhëzimin administrativ që urdhëron marketet të vendosin flamuj sipas origjinës së produktit, vendimi ky i cili filloi të aplikohet që nga 1 janari.

Krahas kësaj vendosjen e flamujve te produktet e kanë mirëpritur qytetarët e Kosovës, ndonëse disa prej tyre deklarojnë se ata flamuj nuk i kanë parë nëpër shoqëritë tregtare.

Emre Sherif për KosovaPress ka thënë se i ka parë flamujt e vendosur nëpër markete dhe se kjo ofron lehtësi për t’i gjetur më lehtë produktet vendore.

E Fahri Duraku u shpreh se nuk ka parë nëpër markete flamuj e origjinës, por që ky veprim u ndihmon konsumatorëve të përzgjedhin më lehtë se çka do të konsumojnë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka theksuar se inspektorati i MTI-së ka filluar inspektimet nëpër shoqëritë tregtare.

Ai ka kërkuar që bizneset sa më parë të fillojnë t’i vendosin flamujt tek produktet.

I pari i tregtisë dhe industrisë së Kosovës është zotuar se varësisht prej masës të cilën inspektorati e sheh që është bërë shkelje do të ndëshkohen edhe shoqëritë tregtare.

Nora Jusufi nga Instituti GAP vendosjen e flamujve tek produktet nëpër markete e ka vlerësuar si një iniciativë të mirë, e cila mbron konsumatorin dhe ia lehtëson atij përzgjedhjen e produkteve që dëshiron t’i konsumojë.

Sipas saj, përmes këtij veprimi ndërprehet edhe mashtrimi indirekt ndaj konsumatorit.

Jusufi konsideron se gjobat ndaj shkelësve duhet të jenë në proporcion me moszbatimin e udhëzimit administrativ për vendosjen e flamujve.

Kujtojmë se vendimi për vendosjen e flamujve erdhi pak pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 % ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si reagim ndaj një fushate të ashpër diplomatike të Serbisë kundër aplikacionit të Kosovës në Interpol dhe qëndrimit mbështetës të Bosnjës ndaj politikës së Beogradit./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress