Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 07.12.2019 04:24

​Bizneset kërkojnë uljen e tarifave bankare dhe të sigurimeve

Prishtinë | 12/11/2019 13:26

Kamata prej 5 për qind për kthimin e parave të imëta, tarifat në Master dhe Visa Card, POS-ët, rritja e tarifave në regjistrimin e makinave me 26 për qind, mundësia e kufizuar e deponimit të parave dhe mungesa e sigurisë gjatë deponimit në ATM, ishin disa nga çështjet të cilat Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ngriti si shqetësim në një konferencë për media.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi tha se problemi i parë është që taksa prej 5 për qind për kthimin e parave të imëta, pasi një biznes nga marketet dhe furrat që deponojnë 1 mijë euro në bankë, për këtë detyrohen që 50 deri 80 euro të paguajnë tarifë vetëm për pranimin e parave.

Krasniqi theksoi se kjo tarifë është një ngarkesë e madhe për bizneset për deponimin e të hollave në bankat komerciale. Ai njoftoi se Oda e Afarizmit të Kosovës gjatë këtij viti ka pasur dy takime me Guvernatorin e Bankës Qendrore (BQK) ku i ka shprehur shqetësimet bizneseve lidhur me këtë problem.    


Krasniqi bëri të ditur se lidhur me këto çështje, OAK-u së bashku me sektorin e bukëpjekësve ka bërë një peticion të cilin ia ka dërguar kryeministrit, ministrit të Financave, ministrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe atij të Zhvillimit Ekonomik më datën 31.12.2018, si dhe ka realizuar dy takime me guvernatorin e BQK-së Fehmi Mehmeti ku janë informuar se kjo kamatë është vendosur nga vetë BQK-ja dhe e cila do të shqyrtohet për largim, por që ende nuk kanë ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

Kreu i OAK-u tha se Kosova ka tarifat më të larta të Master dhe Visa Card në rajon, derisa në Serbi tarifat në shkëmbim janë  0.2 deri 0.3%, Kosova për transaksione më pak se 25 euro e ka 0.8% apo 400% më të lartë dhe tarifat tjera variojnë nga 1.2 deri 2 për qind, apo rritje nga 600% deri në 1000% më të larta.


Ndërsa, tarifat e pagesave nga POS-ët në markete sillen nga 1.3% deri në 2%, kjo sipas OAK-ut po i zhgënjen qytetarët që të bëjnë pagesa me kartela për shkak të tarifave të larta gjatë pagesave dhe rritja e tarifave në regjistrimin e makinave për 26% me arsyetimin e falimentimit të një kompanie sigurimi nuk është arsyetim.

Ndërsa, Qendrim Kryeziu, pronar i biznesit anëtar në OAK “ISP Broadcast” SH.P.K. përmendi disa nga problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset, siç janë numri i ulët i bankomateve dhe numri i degëve të bankave në komuna.

Shqetësim tjetër është mungesa e sigurisë gjatë deponimit në ATM, kufizimi i shumës që deponohet dhe mundësia e deponimit të parave ‘cash’ në ATM.


Kryeziu tha se këto po iu shkaktojnë ngarkesë të madhe financiare bizneseve dhe është duke i dëmtuar në punën e përditshme të tyre.

Kryetari i Bordit të OAK, Skënder Krasniqi tha se Republika e Kosovës me të gjitha institucionet është duke luftuar për zvogëlimin e informalitetit, ndërsa BQK-ja me taksa të larta që i ka lejuar bankat komerciale dhe kompanitë e sigurimeve është duke ndikuar në rritjen e infomalitetit dhe efuzionit fiskal. 

Për këtë OAK fton edhe njëherë Bankën Qendrore të Kosovës që t’i marrë parasysh këto vërejtje, t’i dalë në ndihmë biznesit dhe qytetarëve që do të ndikojë në rritjen e pagesave, rritjen e biznesit dhe zvogëlimin e informalitetit./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress