Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 15.09.2019 07:17

​Apostolova: Vetëm 10 përqind e bizneseve janë në pronësi të grave

Prishtinë | 21/05/2019 10:50

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha sot se derisa mbi 50 përqind e popullsisë së Kosovës përbëhet nga femrat, vetëm 10 përqind e bizneseve në Kosovë janë pronësi e grave.

Këto komente, Apostolova i bëri me rastin e publikimit të raportit “Kuota gjinore në bordet e korporatave në Kosovë”, me c'rast i ftoi gratë që të marrin pushtetin që iu takon, përfshirë edhe fushën e ndërmarrësisë.

Sipas saj, në çdo shoqëri duhet t'iu kushtohet rëndësi të gjithë mekanizmave që mund të zbusin hendekun e pabarazisë mes burrave dhe grave.

"Vetëm 10 përqind e bizneseve në Kosovë janë në pronësi të femrave. Zyra e BE-së në Kosovë çdo ditë mbështet zbutjen e hendekut të pabarazisë mes femrave dhe meshkujve në fushën e ndërmarrësisë. Projekti ERAC, i nxjerrë nga BE-ja, është tema e prezantimit të sotëm. Kuotat nuk janë çdo gjë, mirëpo mirë bëjnë. Kuotat kanë bërë përmirësim në përfaqësimin e femrave kudo që janë përfaqësuar. Femrat përfaqësojnë më shumë se 50 përqind të popullsisë të Kosovës, dhe mu për këtë, ato duhet të marrin pushtetin që iu takon, edhe në fushën e ekonomisë", tha ajo.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, tha se nga 84 zëvendësministrat në Kosovë, 80 janë burra dhe vetëm 4 janë gra.

"Kjo është me të vërtetë shumë shqetësuese. I vetmi vend ku kuotat kanë dhënë rezultat është Parlamenti i Kosovës. Gratë deputete janë aktive dhe marrin edhe iniciativa për fusha të ndryshme. Besojmë fuqishëm se për t'u rritur vendimmarrja e grave ka vetëm dy mënyra: përfaqësimi i grave në politikë dhe përfaqësimi i grave në borde të korporatave dhe institucione", tha ajo.

Ndërsa Carlos Abaitua nga Zyra e BE-së në Kosovë, foli për projektin e ERAC.

"Projekti ERAC është arritur në vitin 2013. Është një program që ka të bëjë ne fuqizimin e shoqërisë civile në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Granti është nënshkruar në vitin 2015 dhe ky është vitit i fundit i realizimit të tij, ndërsa ka kushtuar 1 milion e 100 mijë, 90 përqind është financuar nga BE-ja dhe 20 përqind nga ERAC”, tha ai.

E Jeta Bakija nga ERAC u shpreh se pjesë e projektit ka qenë edhe ngritja e kapaciteteve të asistentëve ligjor.

"Deri më tani kemi ngritur raste që kanë prekur rreth 300 mijë persona në Kosovë. Deri tani kemi 80 raste të zgjidhura. Disa nga sfidat kanë qenë mungesa e përfaqësimit joshumicë në zyrat komunale, braktisja e shkollimit sidomos nga fëmijët e komunitetit jo shumicë. Mungesa e zbatimit të ligjit për gjuhën ka qenë një nga fokuset tona. Ne kemi për qëllim publikimin e 24 raporteve, ky i sotmi është i 14-ti", tha ajo. /KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress