Në fakt, tre modaliteteve klasike të “Lamborghini” “Strada”, “Sport” dhe “Corsa” (Rrugë, Sport dhe Garë), tek “Aventador S” shtohet edhe një e katërt, e quajtur “Ego”, që praktikisht të jep mundësinë të krijosh një profil të personalizuar duke ndërthurur sipas dëshirës modalitetet elektronike të marsheve, timonit dhe qëndrueshmërisë.
Sikur të mos mjaftonin 700 kuajt e modelit të mëparshëm, versionit “S” i shtohen edhe 40 të tjerë, duke e çuar numrin maksimal të xhirove në 8 500, me një shpejtësi që kalon 350 kilometra në orë dhe arrin 0-100 kilometra në orë në më pakë se 3 sekonda. Numra këto që të fusin frikën dhe të pakët janë ata që realisht mund t’i arrijnë.
Ata që guxojnë shpesh kanë ndjesinë se e kanë ekzagjeruar më shumë se ç’duhet, sepse kjo “Lambo” duket sikur kërkon të të pushtojë. “Lamborghini Aventador S” mishëron brutalitetin e pastër që kishte shtyrë Ferruccio Lamborghini të zgjidhte demin si simbol të krijesës së tij. Për ta zotëruar duhet forcë, vendosmëri dhe pasion.