• Lajmi
  • KosovaPress, 03 Maj 2012 14:22

Zyrtare, Majlinda në "Londra 2012"

prev next
 
Të ngjajshëm

Majlinda Kelmendi është bërë sportistja e parë në histori të sportit kosovar që gjendet në renditjen e sportistëve me pikë olimpike, me të drejtë pjesëmarrjeje direkte në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’. Xhudistja pejane renditet e pesta në listën e publikuar nga Federata Botërore e Xhudos, me 820 pikë. Trajneri i saj, Driton Kuka, beson se 21 vjeçarja do të marrë pjesë në Londër me flamur të Kosovës, por ka gati edhe dy alternativa tjera.

Majlinda Kelmendi e ka shkruar historinë e sportit kosovar. Xhudistja pejane bëhet sportistja e parë nga Kosova që gjendet në renditjen e sportistëve me pikë olimpike, me të drejtë pjesëmarrjeje direkte në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’.

Sië raporton gazeta Express, Federata Botërore e Xhudos e ka publikuar të mërkurën renditjen botërore dhe pikët olimpike definitive të xhudistëve dhe xhudisteve, ku shihet edhe emri i sportistes më të mirë në vend, e cila është renditur e pesta, me 820 pikë.

Tash pritet të definohet vetëm se kë do ta përfaqësojë 21 vjeçarja në Londër. Gjithçka do të vendoset në mbledhjen e Bordit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), i cili do të mbahet më 23-25 maj. Trajneri i Majlindës, Driton Kuka, beson se ajo do ta përfaqësojë Kosovën në evenimentin më të rëndësishëm të sportit kosovar.

“Mendoj se pasi Federata jonë u pranua me të drejta të plota, kjo do ta ndihmojë Majlindën që ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadë. Do të ishte diskriminim i madh që mos t’i lejohet asaj që ta përfaqësojë vendin e vet, pasi që Kosova është shtet i pavarur dhe po pranohet vazhdimisht nga shtete të ndryshme të botës”, deklaroi fillimisht Kuka.

Ai beson se në momentet e fundit, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do t’ia japë dritën e gjelbër Kosovës dhe sportistes pejane t’i mundësohet që t’i mbrojë ngjyrat verdh e kaltër në Londër.

“Do të jetë shumë e vështirë, por unë besoj fuqishëm. Por, për ne është me rëndësi që e kemi kompletuar punën tonë dhe që e kemi arritur normën olimpike, ku ceket shumë mirë edhe vendi i saj, Kosova. Është arritur ajo që për shumë shtete është ëndërr, pasi dihet se rreth gjysma e shteteve në bote asnjëherë nuk marrin pjesë në Olimpiadë me normë direkte, siç është arritur nga xhudistja e reprezentacionit kosovar”, shtoi ai.

Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, opsion tjetër i Majlindës është që në Olimpiadë të marrë pjesë nën flamurin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar si sportiste e pavarur e Kosovës ose ta përfaqësojë Shqipërinë.

Ndërkohë, Kuka ka njoftuar se më 6 maj fillon faza finale e përgatitjeve për Olimpiadë, e cila do zgjasë deri në ditën kur sportistja kosovare do të paraqitet në Londër, përkatësisht ditën e diel, më 29 korrik në Arenën Excel të Londrës.

Faza përgatitore do zgjasë rreth dy muaj e gjysmë dhe në të do të përfshihen një mozaik i tërë i përgatitjeve në Kosovë dhe jashtë vendit.

Më 6 maj, Majlinda me trajnerin e saj, Dritonin dhe një sparing partner të saj do të udhëtojnë në Slloveni dhe Austri për 2 javë, ku do ketë përgatitje bazike në lartësi mbidetare mbi 1500 metra dhe ku do të këtë edhe disa testime për ngritje të performancës si dhe teste fizike dhe për nutricionizëm. Pas kësaj faze do vazhdohet në Pejë deri në gjysmën e parë të qershorit, e që pastaj do të udhëtohet në një vend të fortë sa i përket sparing partnereve.