• Lajmi
  • KosovaPress, 25 Prill 2012 18:20

Zbarkojnë të fortit

prev next
 
Të ngjajshëm

Edhe gjatë ditës së tretë të fushatës parazgjedhore për kryetar të Ferizajt, kandidatët e partive politike, kanë zhvilluar një numër takimesh me qytetarë dhe grupe qytetarësh. Në këto takime po marrin pjesë dhe po prezantojnë edhe drejtues të lartë të subjekteve, të cilët qytetarëve po u premtojnë zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies sociale, sundim të ligjit dhe bashkëpunim të ngushtë me ta.

Në mesditën e së mërkurës fushatës së kandidatit të PDK-së, i është bashkuar edhe kryetari i PDK-së, njëherësh kryeministër i Kosovës Hashim Thaçi, i cili është ndier i inkurajuar me mbështetjen që qytetarët e Ferizajt po i japin Agim Aliut. Gjatë një xhiroje që kanë bërë nëpër qytet, kanë takuar qytetarë e biznese duke marrë konfirmimin prej tyre se do të jenë votues të Agim Aliut.

"Jam i inkurajuar me mbështetjen që po i japin qytetarët Agim Aliut, i cili ka hartuar projekte më të mira për qytetarët dhe komunën e Ferizajt, projekte të vazhdimit të qeverisjes së mirë të kryetarit Xhemajli dhe tash të kryetarit të ardhshëm Agim Aliu, për të cilin kam besim të plotë që do të bëjë një punë të mrekullueshme. Kandidati dhe kryetari i ardhshëm do ta ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve të Ferizajt dhe kjo mbështetje është rikonfirmuar edhe sot në takimet dorë më dorë që kemi pasur me qytetarët e Ferizajt”, tha ai.

Edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se ka qenë bashkëpunues i mirë me ferizajasit në të kaluarën dhe një bashkëpunim të tillë do të ketë edhe në të ardhmen, në interes të tyre dhe vetë qytetit.

"Ferizaj do të jetë qytet ashtu siç e meriton të jetë, qytet urban dhe i zhvilluar në të gjitha aspektet. Ne sot dolëm që të bisedojmë me qytetarin për faktin se koncepti ynë ka qenë të bisedojmë me qytetarin. Gjatë katër vjet e gjysmë qeverisje në gjithmonë kemi bashkëbiseduar për projektet, angazhimet, përkushtimet tona duke i dëgjuar ata me shumë kujdes dhe do të jemi të kujdesshëm t'i dëgjojmë ata, në mënyrë që projektet tona të jenë pjesë dhe sukses i tyre", ka theksuar Aliu.

Mbështetje të mërkurën kandidatit të tyre Faton Topallit i kanë dhënë edhe drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje. Në një takim me qytetarë, janë parë Florin Krasniqi, Glauk Konjufca dhe zyrtarë tjerë, ndërsa Topalli ka shpalosur para tyre 10 pikat e programit të tij zgjedhor: vendimmarrjen e përbashkët me qytetarë, uljen e shpenzimeve, hapjen e zyrës së ankesave, hartimin e planit zhvillimor, ndërtimin e një kinemaje dhe dy parqeve, rritjen e cilësisë në arsim e shëndetësi, dyfishimin e subvencioneve, ndërtimin e një qendre proaktive dhe tjera.

Edhe kandidati i AAK-së, Naim Ferati ka takuar të rinjtë ferizajas, ndërsa këtyre u ka thënë se AAK-ja ka program për të krijuar një perspektivë të mirë për ta. Nga ana tjetër Ramiz Kelmendi u ka thënë të rinjve se në Evropë duhet shkuar si turist dhe jo si kërkues pune.

Nga ana tjetër, kandidati i AKR-së, Ramadan Hasani ka takuar fermerë nga fshati Rakaj, për t'u njohur më afër me problemet me të cilat ballafaqohen bujqit e blegtorët e kësaj ane. Hasani tha se me programin e tij qeverisës do të ndërhyjë që të ndryshojë rrjedha e gjërave në këto fusha dhe se gjatë qeverisjes së tij do të jetë në gjendje t'u dalë në ndihmë sa herë që i kërkohet.

Mësohet se në orët e pasdites janë paraparë takime të shumta nga subjektet. LDK-ja ka paraparë një takim në Greme, ndërsa AAK-ja në Nerodime. Shtabi zgjedhor të PDK-së ka bërë të ditur se gjatë ditës do të ketë aderime të grupeve të qytetarëve nga partitë tjera në PDK./Kosovapress/