VV: Shpalli zgjedhjet Presidente!

prev next
 
Prishtinë E martë, 14 Maj 2013 13:55

Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga që deri më datën 29 maj të shpall mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vendin tonë, pasi që afati kushtetues është që 4 deri në 6 muaj para përfundimit ligjor të mandateve të fituara nga zgjedhjet lokale në 2009-tën.

Kjo lëvizje konsideron se është një dakordësi e gjitha partive politike që të shpallet data e zgjedhjeve dhe jo të shkohet në afat më të vonë, pasi që konsiderojnë se mund të përgatitet terreni përsëri për vjedhjen e votës.

Në një komunikatë për media të Vetëvendosjes thuhet se sot, 2 vite e 5 muaj, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010 në të cilat u bë vjedhja e orkestruar e votës dhe u degradua vullneti i qytetarëve të Republikës, gjendemi pak muaj para një procesi tjetër zgjedhor të zgjedhjeve lokale të cilat Presidentja e Republikës së Kosovës, vazhdon ende të mos i shpallë.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, zgjedhjet duhet të mbahen në mënyrë periodike çdo katër vjet dhe atë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Më 15 mars 2013, Lëvizja Vetëvendosje, i propozoi Presidentes së Republikës së Kosovës dy data për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, 29 shtatorin ose 6 tetorin 2013.

“Pra, kërkesa jonë është që jo më larg se data 29 maj Presidentja e Republikës të shpallë datën e zgjedhjeve lokale në vendin tonë meqenëse afati kushtetues është që 4 deri në 6 muaj para përfundimit ligjor të mandateve të fituara nga zgjedhjet lokale në 2009-tën. Kjo kërkesë mund të themi se gjetur dakordësi të gjerë edhe nga subjektet politike por edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile” thuhet në komunikatë.

“Urgjenca dhe interesimi që Presidentja tregoi për shpalljen e zgjedhjeve në fillim, tani përveç që janë zbehur, por madje nga zyra e saj dalin qëndrime që thonë se afati i mbajtjes së zgjedhjeve është deri në dhjetor të këtij viti, duke ngritur kështu dyshime që prapa kësaj mund të përgatitet vjedhja e madhe e radhës”.

Vetëvendosje i rikujtojnë Presidentes se historia e dhjetorit të vitit 2010, kur në temperatura të ulëta e në terr u shënua vjedhja më e madhe në historinë e shkurtër zgjedhore të Kosovës mëton të përsëritet në rast se ajo vendos që zgjedhjet të mbahen përtej pjesës së dytë të muajit tetor.

Kjo dhe për arsyen se sipas ligjit zgjedhor në vend, pas zgjedhjeve ka çdo herë zona balotazhi të cilat përgjithësisht zhvillohen një deri në dy javë më vonë në varësi të daljes së rezultatit nga votimi i parë.

“Ne e shohim si shumë të rrezikshme për vendin çfarëdo përpjekje të Presidentes që zgjedhjet t'i shpallë në muajt pas tetorit. Kjo do të nënkuptonte dhënien e mundësisë atyre që vodhën në 2010-tën si dhe bashkëpjesëmarrje në krimin zgjedhor pasi që me këtë do të lehtësohej realizimi i këtij të fundit”, thekson komunikata.

Gjithashtu i bëjnë thirrje Presidentes, që mos t'i shërbejë këtij pushteti dhe që konform detyrimeve të saj kushtetuese, të shpall datën e zgjedhjeve sa më shpejt që është e mundur në gjithë territorin e vendit, brenda afateve të parapara nga shumica dërrmuese e subjekteve politike dhe shoqëria civile./Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë