Vetëvendosje: Ndërhyrje brutale e shtetit policor të Thaçit

prev next
 
Prishtinë E martë, 17 Janar 2012 15:25

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, edhe njëherë dënuan ashpër dhunën e përdorur nga Policia e Kosovës ndaj qytetarëve dhe aktivistëve të Vetëvendosjes, në protestën e 14 janarit në dy pikat kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdarë, duke e konsideruar të panevojshme dhunën e policisë ndaj protestuesve. Sipas tyre zyra e kryeministrit, u kthye në një sallë operative, ku anëtarë të këtij shtabi ishin Hashim Thaçi, Bajram Rexhepi, Berat Buzhala dhe Ilir Mirena.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi të martën në një konferencë për media denoncoi dhunën brutale, të siç tha ai të shtetit policorë të Qeverisë Thaçi, mbi qytetarët e Kosovës në protestën e Vetëvendosjes, duke e konsideruar si të panevojshme ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve. Sipas tij përdorimi i dhunës erdhi me urdhër politik dhe është bërë nga grupet joformale brenda Policisë së Kosovës.

“Konsiderojmë se kjo ndërhyrje ka qenë absolutisht e panevojshme dhe njëkohësisht ka qenë shumë brutale. Po ashtu edhe deklarimet paraprake të Qeverisë për protesta e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë deklarime shumë tendencioze, të cilat kanë tentuar të fusin panik tek qytetarët e Kosovës, veçanërisht tek ata, të cilët kanë qenë të gatshëm të protestojnë. Fjalori i qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe tendenca për të futur panik, si fjala dhunë deri te fjala vrasje, na kanë bërë të kuptojmë se janë të gatshëm edhe të na vrasin kur ne kërkojmë të drejtat tona”, tha Selimi.

Selimi tha se Lëvizja Vetëvendosje paraprakisht ka bërë thirrje për protestë paqësore, duke bërë thirrje që edhe policia të mos bie në provokim të grupeve joformale, brenda policisë, cilët edhe kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

“Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje paraprakisht, që ashtu siç do të jemi ne paqësor dhe të dinjitetshëm, të jenë edhe Policia e Kosovës. Kemi bërë thirrje që Policia e Kosovës të mos bie në provokimet e grupeve joformale, në Policinë e Kosovës dhe mendojmë që Policia e Kosovës ka arritur që deri diku të mos bie në provokimet e grupeve jo formale në Policinë e Kosovës, andaj vetë grupet joformale të kësaj policie kanë intervenuar mbi qytetarët protestues”, tha ai.

Sipas tij, derisa po zhvillohej protesta e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht derisa aparati shtetëror policor i Thaçit po dhunonte qytetarët protestues, zyra e kryeministrit u kthye në një sallë operative, ku anëtarë të këtij shtabi ishin Hashim Thaçi, Bajram Rexhepi, Berat Buzhala dhe Ilir Mirena.

Ai e quajti të pasaktë deklaratën e Thaçit që e tërë kjo është në mbrojtje të interesave të shtetit, pasi që sipas tij ai nuk ishte në anën e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, por ishte në mbrojtje të interesave të shtetit të Serbisë. Ai po ashtu e quajti shkelje të vullnetit të qytetarëve edhe mbylljen e kufirit me Shqipërinë dhe pengimin e qytetarëve nga atje për t’iu bashkuar protestës.

Me këtë, sipas tij, edhe njëherë është nxjerr në pah realizimi i të ashtuquajturës marrëveshje e “IBM” të Edita Tahirit, e cila kufirin me Shqipërinë e kthen në kufi ndërshtetëror dhe kufirin me Serbinë e kthen në një kufi administrativ.

Ndërsa i pyetur se pse ai nuk është arrestuar edhe pse ka qenë në mesin e protestuesve, ai tha se pyetja duhet të bëhet “se pse janë arrestuar të tjerët dhe a kanë pasur të drejtë të dhunohen dhe keqtrajtohen pjesëmarrësit e protestës?”. Ai po ashtu demantoi atë që është thënë këto ditë se policia nuk ka guxuar ta arrestojë atë, duke pohuar se ai ka qëlluar të jetë në mesin e qytetarëve dhe deputeteve, të cilët nuk janë arrestuar dhe se nuk ka asnjë të vërtetë tjetër rreth kësaj.

Ndërsa Albulana Haxhiu, deputetet e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, tha se shkelja e të drejtës së protestës, është ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës së Kosovës dhe shkelje e konventave për mbrojtjen dhe të drejtave të lirive të njeriut. Sipas saj, ky pushtet tani më mban vulën e pushtetit policor.

“Pengimi i protestës paqësore, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si duket nuk i ka mjaftuar Njësisë speciale, pasi që ata me urdhrat e Qeverisë kanë ushtruar dhunë brutale dhe trajtim çnjerëzor. Me këtë, përveç që ka pasur shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me Nenin 27 të Kushtetutës thuhet se askush nuk i nënshtrohet trajtimit çnjerëzor. Ka pasur edhe shkelje të konventave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Haxhiu.

Deputetët e Vetëvendosjes kanë paralajmëruar se do të ngritin padi ndaj të gjithë zyrtarëve policorë që kanë përdor dhunë ndaj protestuesve.

Ndryshe, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje u shprehen të vendosur për mbajtjen e protestës së paralajmëruar më 22 janar në dy pikat kufitare. Sipas tyre një vendim të tillë do të mund ta anulonte vetëm fillimi i zbatimit të masave të reciprocitetit me Serbinë nga ana e Qeverisë së Kosovës./Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë