Çmimi “Shaban Jashari”, i ndahet mësueses Shkëndije Nagavci-Bokshi

prev next
 
Prishtinë E mërkurë, 07 Mars 2012 14:07

Me rastin e 7 Marsit-Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka organizuar një pritje për mësimdhënësit, me ç ‘rast, për herë të parë, ministri i Arsimit Ramë Buja ka ndarë çmimin “Shaban Jashari” për mësimdhënësin e dalluar, i cili, këtë vit, i është ndarë mësueses Shkëndije Nagavci-Bokshi.

Çmimi “Shaban Jashari”, i cili ndahet për herë të parë dhe përmban pllakatin dhe shpërblimin material në vlerë prej 1000 eurosh, i cili tashmë do të jetë tradicional, i ka takuar mësueses Shkëndije Nagavci-Bokshi. Ndarjen e çmimit e ka bërë Ministri i Arsimit Ramë Buja dhe djali i komandantit legjendar, Adem Jasharit, Lulëzim Jashari.

Mësuesja Shkëndije Nagavci-Bokshi, është shprehur e ngazëllyer me çmimin e fituar, duke thënë se ndjehet e privilegjuar dhe e nderuar që mban epitetin e më të mirit në arsimin para universitar, duke thënë se, kjo e shton edhe më shumë përgjegjësinë për të punuar dhe kontribuar edhe më shumë në edukimin e brezave të rinj.

Mirënjohje për kontributin e dhënë në arsim, u ndan edhe për dy punëtorë të arsimit parashkollor, dy të arsimit fillor, dy të mesëm të ultë dhe dy mësimdhënësve të arsimit të mesëm të lartë.

Me këtë rast, Ministri Buja ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit për kontributin e tyre në ruajtjen dhe zhvillimin e arsimit shqiptar. Buja ka shtuar se 7 Marsin, Ditën e shënuar për mësuesin, e bënë akoma më të veçantë dita që, sipas tij, përkon shumë fuqishëm me ditët e Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe atë të familjes legjendare, shembull në botë, familjes Jashari.

Duke folur për rrugëtimin e arsimit shqip, që nga themelimi i saj, Buja ka thënë se ka qenë rrugëtim i vështirë, duke mos përjashtuar edhe rëniet heroike të mësuesve shqiptarë dhe se, sipas tij, shembull më i mirë ishte rënia heroike e mësuesit të nderuarit dhe shumë të çmuarit Shaban Jasharit.

“Kemi pasur vështirësi nga më të ndryshmet gjer në rëniet heroike të mësuesve tanë dhe një rënie heroike e një mësuesi tonë të madh ishte edhe rënia e të nderuarit dhe shumë të çmuarit Shaban Jasharit. Ne e pavarësuam arsimin në vitin ‘92 dhe sivjet e festuam 20 vjetorin e shkollës së pavarur dhe kjo për ne ishte shumë e madhe, janë pak vite por janë vite të mëdha, të bujshme dhe të pasura të pavarësimit tonë”, ka thënë ai.

Sipas ministrit Buja, 125 vjetori i themelimit të shkollës shqipe, arsimin në Kosovë e gjen me shumë përparime, duke përmendur themelimi e tri universiteteve publike dhe 19 institucioneve të arsimit të lartë privat.

“Kemi tri Universitete publike, dy në funksion dhe një në themelim. Pretendojmë edhe tri të tjera publike, 19 institucione të arsimit të lartë privat në Kosovë. Me krejt këto synimi ynë është jo të shtojmë cilësi, por të rrisim pa ndalur cilësitë. Ky është synimi yni, ky është synimi i miqve tanë që donë të na ndihmojnë për të na sjellë në pozicionin që të mos themi që jemi në Evropë vetëm fizikisht, por të jemi në Evropë me dije dhe ta materializojmë sloganin tonë ‘Kosova vend i dijës’. Nëse e realizojmë këtë jemi të realizuar plotësisht dhe ky mision është i juaji të dashur mësues”, ka thënë ai.

Të rikujtojmë që 125 vjet më parë, pikërisht më 7 Mars të vitit 1887 në Korçë, u hap mësonjëtorja e parë e shkollës laike shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash, kjo ngjarje u konsiderua si një fitore për popullin shqiptar, pasi deri me atëherë mësimet mbaheshin nëpër shtëpi private në mënyre të fshehtë. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë