• Lajmi
  • KosovaPress, 19 Prill 2012 13:27

Thaçi opozitës: Po mbani takime të fshehta

prev next
 
Të ngjajshëm

Seanca e sotme ka filluar me akuza të kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi ndaj opozitës për takime të fshehta me zyrtarët serb, ndaj të cilave kanë reaguar partitë opozitare. Por kryeministri nuk është ndalur se akuzuari partitë opozitare duke thënë se disa nga përfaqësuesit e tyre kanë deficit patriotik.

Në kohën e deklarimeve, jashtë rendit të ditës, deputetët kanë ngritur disa çështje, por më pas ka kërkuar një fjalë rasti edhe kryeministri, Hashim Thaçi, i cili, përveç kritikave ndaj opozitarëve për mos qëndrimin në seancën e djeshme, ai ka vazhduar më pas me akuza për takime të deputetëve me zyrtarë nga kabineti i Tadiqit.

Ai ka filluar me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se kanë deficite patriotike dhe duke u thënë atyre se shansi për të luftuar nuk do t’u vie më asnjëherë.

“Por te ne ende jetojmë kur njerëzit kanë rënë në gjumë patriot e janë qu tradhtarë ose e kundërta. Flas për ata që kanë deficite patriotike dhe mundohen me i fut të gjithë në një thes. Sa i përket uniformës, komunikimi im me uniformën nëse se dini ju të rinjtë e Vetëvendosjes e din baballarët tuaj… Shansën e keni pas, e keni humbur, kurrë më ajo shansë nuk ka me ju ardhë. Kush o tut... pengu me shku në Preshevë e Ulqin”, ka thënë Thaçi.

Po ashtu, ai ka thënë se vrasja e Selver Haradinajt ka qenë kryekëput akt terrorist e kriminal, ndërsa u ka thënë se, disa deputetët të Vetëvendosjes, me broshura i vlerësonin si akte terroriste aksionet e UÇK-së.

Për më tepër kryeministri ka kërkuar nga deputetët që kur akuzojnë për takime me zyrtarë të Serbisë le të bëhen edhe atë të përgjegjshëm të tregojnë për takimet me ministrat e Qeverisë së Serbisë.

“Të gjithë po takoheni. Nëse ju akuzoni për tradhti një takim publik në Bruksel unë ju them po deputetët tuaj takohen në konferenca ndërkombëtare me ministra të Qeverisë së Serbisë edhe me kryetar të komunave paralele në veri, edhe me këshilltar të autoriteteve të Serbisë, po flas edhe për LDK, PDK, VV edhe për AAK-në”, ka thënë ai.

Menjëherë pas kryeministrit, ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliut, i cili ka thënë se po mundohet me kuptuar kryeministri që po dëshiron që dikush në Kuvend të duket si akuzues i komunitetit duke shmangur strukturat e Serbisë në veri. Ndërsa për të kaluarën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputeti Aliu i ka thënë kryeministrit se ajo nuk është e tij, por e gjithë qytetarëve.

“Për UÇK-në dhe të kaluarën UÇK-së nuk është personale. E juaja është e qytetarëve dhe fëmijëve tanë. Prandaj e mbrojmë atë e mbrojmë nga ju se është kjo politikë sot që e dëmton atë luftë. E ne në mbrojtje të vlerave kombëtare e kemi obligim me mbrojt atë. Sa i përket të kaluarës do të mund të debatojmë me një rast tjetër”, ka thënë deputeti Aliu.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se, një ditë më parë, nuk ka mbet në seancë për ta dëgjuar kryeministrin.

“Këta të Qeverisë po harrojnë çka po flasin e çka po bojnë. Zëvendësi i tij ka thirrur me i dërguar trupat në veri, jo opozita. I paska djeg fort që kena dal dhe i ka fol karrigeve. Nuk ka mbet asnjëfarë kënaqësia me nejt me ngu kah flet. Bon vaki as në të ardhmen nuk rri me iu ngu”, ka theksuar Gjini.

Ai ka thënë se këto takime nuk kanë qenë të fshehta, duke shtuar se deputeti Berat Buzhala mirë paska informuar kryeministrin se edhe ai vet ka qenë.

“Po flet për një konferencë edhe po akuzon e po them bukur Berat. E kisha nxit edhe kryeminsitrin me marr pjesë vet e mos me i qu veç këshilltarët. E keqja është me u taku tinëz, me u taku me përfaqësues të bizneseve me bo biznes tinëz”, ka thënë ai.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Berat Buzhala ka replikuar duke thënë se në darkë ku ka qenë Gjini edhe Shpendi Ahmeti, ai ka munguar dhe nuk e dinë se çka është folur aty.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka sugjeruar që kur të bëhen vlerësimet të përmend edhe emrat.

“U përmendën strukturat paralele. Do të doja me dit kush është i LDK-së që takohet me struktura paralele. Diçka e tillë as s’e besojmë që ka ndodh. Është mirë me i thanë me emra konkret dhe ne as nuk jemi në pushtet e as nuk kemi dëshirë dhe vullnet të takohemi me struktura paralele”, ka thënë ai.

Por kryeministri i është përgjigjur duke i thënë se në përgjigjja në këtë pyetje i takon kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

“Ju e dini se kritika letrare dhe politika janë dy bota të ndryshme. Kemi me të dhënë ndonjë çmim për merita”, ka qenë përgjigja e Thaçi ndaj reagimit të Sabri Hamitit.

Pas përfundimit të pjesës për deklarime, jashtë rendit të ditës, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka kërkuar një puazë, për shkak të mbajtjes së një akademie për dëshmorin, Sali Çeku, kërkesë e cila është mbështetur edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, që seanca të vazhdojë, pasi të kryhet akademia.

Kërkesë kjo që duket se nuk prit mirë nga kryekuvendari, Jakupi Krasniqi. “Kjo është lojë me perspektivën e qytetarëve tani e tutje. Kam respekt për dëshmorët dhe heronjtë. Megjithatë ju bëni pushim në dashi tërë kohën”, ka theksuar Krasniqi.

Më pas ai ka dhënë pauzë deri në orën 15:00 për të vazhduar më pas seanca me miratimin e disa raporteve. /Kosovapress/