• Lajmi
  • KosovaPress, 23 Prill 2012 18:25

Task-Forcë për pronën intelektuale

prev next
 
Të ngjajshëm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka hapur sot edhe zyrtarisht fushatën informuese dhe vetëdijesuese për të drejtën e autorit nën moton “Kosova mbron autorin”. Në një takim me kompozitorë, regjisorë, shkrimtarë, botues, profesorë, këngëtarë dhe instrumentistë. Ministri Krasniqi tha se ky është një lajm shumë i mirë dhe përben një hap domethënës në angazhimet e tjera që do të ndërmerren në të ardhmen në zbatim të Ligjit për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të përafërta, ka bërë të ditur kjo Ministri përmes një komunikate për media.

Ministri Krasniqi shprehu keqardhjen e tij që një fushatë e tillë ndoshta është vonuar, për shkak se, siç tha ai, në të kaluarën, askush nuk ka pasur një qasje serioze ndaj kësaj fushe.

“Kjo fushatë ka qëllim që të informojë gjithë shoqërinë, veçanërisht grupet e interesit, për disa nga pyetjet kryesore që shtrohen për këtë çështje; se Kosova ka një ligj që mbron të drejtën e autorit, se dihen kush janë ata që duhet të zbatojnë këtë ligj, cilat janë ato krijime që mbrohen, sa zgjat e drejta e autorit, si administrohet e drejta dhe cilat janë përfitimet që marrin krijuesit, por edhe shoqëria në përgjithësi, nga respektimi dhe mbrojtja e të drejtës së autorit. Fushata do të zgjasë për tre muaj dhe gjatë kësaj kohe ne do të punojmë intensivisht edhe në projekte të tjera”, ka thënë ai.

Ministri Krasniqi ka thënë se është inkurajuese që tashmë dy shoqata për administrim kolektivë janë themeluar dhe pritet të licencohen shumë shpejt. Është fjala për APIK-un, që mbron të drejtat në muzikë, dhe VAPIK-un, që si synim ka mbrojtjen e të drejtës së autorit në industrinë e filmit.

“Unë u bëj thirrje edhe të tjerëve, shkrimtarëve, botuesve, studiuesve e krijuesve të tjerë, që të bashkohen dhe të themelojnë shoqata të tilla, që para se gjithash do të jetë në shërbim të tyre, por edhe do të krijojë rrethana edhe më të lehta për të gjitha institucionet shtetërore që të ushtrojnë me përgjegjësi obligimet që ua jep ligji”.

Krasniqi duke i konsideruar si shumë të arsyeshme kërkesat që të punohet më shumë dhe më shpejt në mbrojtje të së drejtës së autorit, ka thënë se megjithatë edhe për krijuesit, e sidomos ata në fushën e muzikës, që të përmbushin detyrimet që kanë ndaj shtetit.

Nga ana tjetër, drejtori i shoqatës për administrim kolektiv, APIK, Florent Boshnjaku, e vlerësoi këtë si një ngjarje shumë të rëndësishme.

“Këtë e kemi pritur gjatë, dhe po shpresojmë se është duke i ardhur momenti. Siç e ceku ministri ndoshta jemi pakëz vonë, por më mirë vonë se kurrë. Shoqata APIK është formuar para disa muajve dhe kemi rreth 500 anëtarë deri në ditët e sotme. Është formuar me interes për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit. Ne shpresojmë që shumë shpejt do ta kemi licencimin, pra do të pranohemi si Shoqatë në Ministri dhe do të kemi mundësi që thjesht të funksionojmë si shoqatë për të mirën e artistëve”, ka thënë ai.

Edhe Blerim Gjoci, një nga themeluesit e APIK, tha se ky është një moment që është pritur gjatë.

“Përshëndes ministrin dhe këtë ekip të mrekullueshëm që më në fund janë duke u munduar që të kemi një ligj dhe një infrastrukturë paraprake, në mënyrë që të drejtat e autorit mos të shkojnë shumë. Shpresoj se në këtë ditë të shënuar, edhe Kosova të kthjellet nga ajo përgjumje autoriale që na kishte kapluar ”, u shpreh ai.

Ndryshe, fushata për të drejtën e autorit do të zgjasë tre muaj dhe do të shtrihet në disa sfera, përmes mediave dhe organizimeve të ndryshme. Për këtë janë përgatitur materiale sensibilizuese dhe një video-spot, ku jepen përgjigje në disa nga pyetjet kryesore që shtrohen rreth të drejtës së autorit./Kosovapress