• Lajmi
  • KosovaPress, 25 Mars 2012 15:45

Shtohet numri i aksidenteve në komunikacion

prev next
 
Të ngjajshëm

Bazuar në të dhënët e policës, numri i aksidenteve në komunikacion, gjatë vitit 2011 është rritur për 5 për qind krahasuar me vitin 2010, duke kapur shifrën afër 19 mijë, ndërsa vërehet një rënie e aksidenteve me fatalitete, kurse gjatë kësaj periudhe policia ka shqiptuar 276 mijë e 897 tiketa dënimi. Sipas zyrtarëve policorë nga Departamenti i komunikacionit rrugor, shkaktari i aksidenteve në të shumtën e rasteve është faktori njeri, si mos respektimi i rregullave të komunikacionit, punimet në rrugë etj. Ndërkaq, vozitësit shprehen se mundohen t’i respektojnë rregullat në komunikacion, por ankohen për mungesë të sinjalistikave.

Kapiteni, Jeton Rexhepi nga Departamenti i Komunikacionit Rrugor, ka thënë për Kosovapress, se gjendja e sigurisë në komunikacion në përgjithësi vlerësohet e mirë, sipas tij, për të evidentuar aksidente, policia po angazhohet vazhdimisht dhe po merr masa ndaj atyre që shkelin rregullat e komunikacionit. Ai thekson se ka pasur ngritje të numrit të aksidenteve gjatë vitit 2011, mirëpo fatmirësisht numri i aksidenteve me fatalitete ka qene në rënie.

Sipas tij, policia është duke marrë masa adekuate që të zvogëlohet numri i aksidenteve, duke shtuar patrullimet dhe kontrollet në komunikacion. Faktor kryesor në të shumtën e aksidenteve janë shoferët e pakujdes, të cilët nuk i respektojnë rregullat në komunikacion.

Për më tepër, ai shton se ka raste kur aksidentet vine edhe si pasojë e punimeve në rrugë, të cilat po pengojnë edhe punën e policisë.

Ndërkaq, nga ana e tyre vozitësit, shprehen të vetëdijshëm se duhet të respektohen me doemos rregullat në komunikacion, në mënyrë që të evitohet aksidentet. Qytetari, Faton Gagica, përderisa ishte duke vozitur motoçikletën, ndalet për një kontroll nga policia e trafikut rrugor, por pas kontrollit ai doli të jetë në rregull me dokumentacionin. Ai për Kosovapress thotë se mundohet që t’i përshtatet rregullave të komunikacionit dhe t’i respektojë ato.

Kurse, Gazmend Bajrami, një tjetër qytetar, përderisa ishte duke vozitur ai ndalet nga patrulla e policisë. Ai nuk e kishte të vendosur rripin e sigurisë, për çka edhe merr vërejtjet nga ana e policisë. Por ai shpëton pa u gjobitur. Bajrami ankohet për shkak se disa shenja në komunikacion nuk vërehen, gjë që sipas tij po paraqesin problem për vozitësit./Kosovapress/