Selimi i dorëzon kredencialet presidentit Bamir Topi

prev next
 
Tiranë E martë, 20 Mars 2012 15:56

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, i cili ka paraqitur Letrat-Kredenciale. Ky i fundit ka thënë se përveç Brukselit dhe Uashingtonit, Tirana është mbështetja tjetër për Kosovën.

Kryetari i Shtetit shqiptar ka thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë vëllazërore. “Ne gëzohemi dhe jemi krenarë për faktin që çdo ditë e më shumë institucionet e Kosovës shënojnë përparime. Këto pikëpamje dhe ndjenja i ndaj edhe me të gjithë bashkëbiseduesit dhe partnerët e huaj me të cilët takohem”, ka thënë Topi duke shtuar më tej se uron që Kosova t’i japë fund statusit të pavarësisë së mbikëqyrur e të integrohet në BE.

“Uroj që Kosova t’i japë fund statusit të pavarësisë së mbikëqyrur dhe të plotësojë të gjitha standardet për një integrim të plotë të të gjitha vendeve të rajonit tonë në gjirin e Bashkimit Evropian”.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, ka thënë se përveç Brukselit dhe Uashingtonit, Tirana është mbështetja tjetër për Kosovën.

“Synimi ynë është që të konsolidojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe që Kosova të bëhet pjesë e takimeve dhe nismave rajonale. Objektivi parësor i politikës së jashtme të Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO-ja dhe për këtë vlerësojmë mbështetjen dhe përvojën e vlefshme që na ofron Shqipëria”, ka thënë, ndër të tjera, ambasadori i Republikë së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë