• Lajmi
  • KosovaPress, 15 Mars 2013 19:10

Rritet përkrahja për bletarët

prev next
 
Të ngjajshëm

Ministria e Bujqësisë, sivjet ka rritur përkrahjen financiare edhe për bletarët. Ata përveç subvencioneve, që arrijnë vlerën e 300 mijë eurove, do të përfitojnë edhe grante investive në vlerë prej 250 mijë euro. Shtimi i numrit të koshereve të bletëve, modernizimi i pajisjeve për prodhimin e mjaltit dhe rritja e sasisë së mjaltit të çertifikuar si mjaltë organike, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, janë objektivat që synohen të arrihen përmes kësaj përkrahje financiare.

Adil Behramaj, zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë, thotë se Kosova ka kushte të përshtatshme për zhvillimin e bletarisë, sepse kemi klimë të mirë dhe numër të madh të bimëve mjaltëdhënëse, të cilat garantojnë një prodhimtari të mirë të produkteve të bletës. “Bletaria dhe prodhimi i mjaltit janë burim i qëndrueshëm i të ardhurave të banorëve në zonat rurale. Por, mungesa e pajisjeve dhe infrastrukturës është dobësi e përgjithshme edhe në këtë sektor. Ne me përkrahjen tonë sivjet mbulojmë 65 për qind të investimeve që janë në përputhje me kriteret e përcaktuara në nënmasën për prodhimtarinë e mjaltës dhe kufiri minimal i grantit investiv, që mund ta përfitojnë bletarët është 2 mijë euro dhe maksimal 15 mijë euro, derisa subvencionimi do të bëhet njëjtë si në vitin e kaluar”, thotë Behramaj.

E subvencionimi i këtij sektori në vitin e kaluar, sipas Haxhi Demukajt, kryetar i Shoqatës së Bletarëve, ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e bletarisë në vendin tonë. “Viti i kaluar ka qenë viti i parë kur janë dhënë subvencione për bletarinë dhe kjo ka pasur jehonë të madhe tek bletarët, të cilët e kanë rritur interesimin për këtë sektor. Rritja e mbështetjes në këtë vit do të sjellë rezultate pozitive dhe do të jetë një ndihmesë shumë më e madhe për zhvillimin e mëtejmë të bletarisë”, thotë kryetari Demukaj.

Ai tregoi se aktualisht gjendja në këtë sektor është shumë e mirë, pasi edhe kushtet atmosferike gjatë këtij dimri kanë qenë të përshtatshme për prodhimtarinë në këtë sektor.

Bletarët, përmes granteve investive do të mbështeten në koshere me dysheme antivaro, në rregullimin e vijave për vjeljen e mjaltit, në shkrirëset e dyllit për hoje, në rimorkio speciale për transportin e koshereve, në rrethojat e bletishtes, të thartirave dhe në ato paketuese.

Për të përfituar subvencione në vlerë prej 10 euro për një koshere bletësh, aplikuesit duhet të kenë minimum 30 koshere bletësh. Ndërsa, për të përfituar grante invesitve, aplikuesit duhet të kenë së paku 50 koshere të bletëve dhe jo më shumë 500 sosh.

Ndryshe, sektori i prodhimit të mjaltit në Kosovë është shumë i rëndësishëm dhe aktualisht në të veprojnë rreth 6500 bletarë me rreth 70500 koshere bletësh.