• Lajmi
  • KosovaPress, 04 Shtator 2012 14:27

Rompuy: Serbia t`i rregulloj raportet me Kosovën

prev next
 
Të ngjajshëm

Kryetari i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se Serbia duhet t`i përmirësoj marrëdhëniet me Kosovën. Sipas tij, Beogradi dhe Prishtina duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, me shërbimet e vullnetit të mirë të Bashkimit Evropian.

“Përmirësimi i qëndrueshëm dhe i dukshëm i marrëdhënieve me Kosovën mbetet kërkesa kryesore për hapin e ardhshëm të lëvizjes së negociatave për hyrjen e Serbisë në BE”. Kështu tha sot Herman Van Rompuy.

Duke folur për dialogun Kosovë – Serbi, ai ka theksuar se “të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash duhet të zbatohen, e veçanërisht marrëveshja për kalimet”.

Rompuy në takim me kryeministrin serb, Ivica Daciq ka theksuar poashtu se duhet të gjenden zgjidhje të reja për situatën e ndjeshme në veri të Kosovës, zgjidhje këto që do ta përmirësojnë jetën e njerëzve të atjeshëm.

Ndërkaq, kryeministri i Serbisë Daçiq theksoi se Beogradi është i gatshëm ta vazhdoj dialogun me Prishtinën në rrafshin teknik dhe politik, në nivel shumë të lartë.

Ai tha se qeveria e tij nuk i vë në dyshim marrëveshjet të cilat janë arritur tashmë në Bruksel.