Radioterapia ende jashtë funksionit

prev next
 
Prishtinë E martë, 18 Shtator 2012 10:16

Pacientët, të cilët vuajnë nga sëmundjet malinje ende nuk mund t’i marrin shërbimet radioterepautike në Institutin e Onkologjisë, për shkak të mungesës së disa pajisjeve plotësuese të aparaturave që shërbejnë për aplikimin e radioterapisë. Drejtues të këtij Instituti kanë thënë se po aplikohet vetëm radioterapia sipërfaqësore, por jo edhe radioterapia radikale. Ndërsa drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë premtojnë se radioterapia do të kompletohet shumë shpejt, pasi që janë në proces blerjet e pjesëve të aparateve, të cilat shërbejnë për aplikimin e radioterapisë.

Drejtori i porsazgjedhur i Institutit të Onkologjisë, Behxhet Osmani ka thënë për Kosovapress se pacientët të prekur nga kanceri, e të cilët janë të shumtë në Kosovë, në pamundësi për t’i kryer shërbimet e tyre radioterapeutike në këtë institut, po detyrohen tëkërkojnë ndihmë nëinstitucionet privatë shëndetësore, por edhe jashtë vendit.

Ai megjithatë, shpreson se së shpejti edhe këto shërbime pacientëve kosovarë do t ‘u ofrohen në këtë institut, pasi që sipas tij, tenderi për blerjen e disa pjesëve të aparatit, tashmë është hapur dhe së shpejti pritet blerja e tyre.

“Për shkak të mungesës së disa pjesëve të aparatit radioterapia po aplikohet vetëm në aspektin paliativ, e jo radikal. Kështu që unë kuptova nga doktoreshat që punojnë në radioterapi, se kërkesa është bërë, tenderi është hapur dhe pritet që të vijnë edhe pajisjet tjera dhe të fillohet me radioterapinë radikale, për të cilën pacientët tanë shkojnë jashtë institucioneve shtetërore, në institucione private, por edhe jashtë vendit”, ka thënë ai.

Edhe Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, kohë më parë pati premtuar se blerja e disa pajisjeve plotësuese të aparateve që shërbejnë për aplikimin e radioterapisë radikale, janë në proces, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Janë në proces blerjet e disa pajisjeve plotësuese dhe besoj që janë në fazën përfundimtare të blerjes dhe plani është që diku rreth shtatorit kolegët nga Hungaria që janë duke e mbështetur Institutin Onkologjik, në këtë proces do ta bëjmë një hapje solemne të kësaj pune. E pse paguhen ende në Institucionet private, është për një arsye sepse për momentin duke marrë parasysh mungesën e atyre pajisjeve është duke u bërë vetëm radioterapia sipërfaqësore, pra tumoret që janë sipërfaqësore, ndërsa ne jemi duke e kompletuar Institutin Onkologjik me kuadër”, ka thënë ai.

Sipas drejtorit të Institutit të Onkologjisë, Behxhet Osmani, përveç probleme teknike dhe mungesës së aparaturave të duhura, Instituti i Onkologjisë po ballafaqohet edhe me mungesë të mjekëve onkologë.

Osmani, po ashtu bënë të ditur se brenda ditës në këtë institut, ndihmë kërkojnë rreth 100 pacientë dhe me stafin aktual është e pamundur të përballohet i gjithë ky fluks, ndërkaq ka shtuar se numri ideal i mjekëve onkologë për ta përballuar këtë gjendje duhet të jetë 40.

“Situata nuk ka qenë e mirë me qenë se numri i të sëmurëve është shumë i madh, ndërsa numri i mjekëve është shumë i vogël. Kështu që nëse kontrollohet 100 persona brenda ditës nga dy mjekë, atëherë kuptohet sa është pritja e gjatë e të sëmurëve, njëkohësisht edhe pritja në aplikimin e radioterapisë. Mirëpo, tash gradualisht po shkarkohet puna e mjekut, i cili ka punuar deri më tani, pasi besoj që së shpejti do të kemi edhe mjekë të tjerë të punësuar, me qenë se ne në Kosovë i kemi 11 onkologë, të cilët janë specialistë të onkologjisë, që për fat keq nuk janë punësuar ende. Konkursi ka qenë i hapur për tre onkologë, por nevojat janë më shumë se 11, gjegjësisht deri në 40 onkologë”, ka thënë ai.

Ndërkaq pacientët të cilët aplikojnë kimioterapinë në Institutin e Onkologjisë janë të kënaqur me shërbimet mjekësore që ofrohen në këtë repart.

Nga mjekët e këtushëm mësohet se rreth 60 pacientë brenda ditës marrin kimioterapinë dhe 60 të tjerë realizojnë vizita mjekësore.

Milaim Veseli, nga qyteti i Ferizajt, thotë se janë të kënaqur me kushtet dhe trajtimin që u bëhet nga stafi i këtij instituti.

“Kushtet shumë të mira, mjekët këtu po sillen mirë me neve, për çdo send që kemi nevojë këta vijnë. Edhe barna po kemi mirë, nuk blejmë të gjitha i kanë këtu. I falënderojmë mjekët e këtij instituti, pasi që nuk kemi vërejtje dhe çdo gjë është në rregull”, ka thënë ai.

Ndryshe nga këta pacientë që vazhdojnë të trajtohen me kimioterapi, të njëjtin fat nuk po e kanë pacientët që kanë nevojë për radioterapi, të cilët po bredhin nëpër spitale private dhe ato rajonale, duke shpenzuar shuma të majme parash për shërimin e tyre.

Ndërkohë, mësohet se blerja e dy aparaturave të radioterapisë Ministrisë së Shëndetësisë i ka kushtuar rreth 3 milionë euro, por megjithatë ende nuk arritën të funksionalizohen në tërësi./B.Bekolli/

 
 
 
comments powered by Disqus