• Lajmi
  • KosovaPress, 03 Maj 2012 13:44

Pushteti i kapur nga korrupsioni

prev next
 
Të ngjajshëm

Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet “Çohu” akoma është në pritje që partia në pushtet, PDK, të sqarojë para mediave dhe organeve kompetente, për siç thonë ata, 100 milion eurot dhënë kompanive që kanë financuar fushatat e PDK-së. Kështu pohuan përfaqësues të Organizatës “Çohu”, të cilët para selisë të PDK-së, mbajtën një konferencë për media, ku kërkuan sqarim nga PDK-ja për 100 milionët, po ashtu kërkuan që kjo parti, përmes fakteve, të tregoj se të gjeturat e Çohu-t dhe Qendrës kosovare për gazetari hulumtuese, janë shpifje.

Arton Demhasaj, nga Organizata Çohu tha se janë mbi 100 milion euro që Qeveria iu ka dhënë tenderë kompanive të cilat kanë financuar fushatën e PDK-së. Nga këto 100 milion euro, sipas tij, mbi 80 milion euro janë dhënë nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Transportit për kompani të cilat e kanë financuar fushatën e PDK-së në dy palë zgjedhjet e fundit, prej se PDK ka ardhur në pushtet. Menjëherë pas publikimit të këtyre të gjeturave, sipas tij, PDK ka reaguar duke i quajtur të gjitha fyerje dhe shpifje, mirëpo ende deri tani, sipas tij PDK nuk ka sqaruar dhe nuk ka dhënë fakte, të cilat do të vërtetonin se këto të gjetura janë shpifje, ashtu siç janë deklaruar ata.

“PDK menjëherë pas konferencës së organizatës Çohu dhe Qendrës për Gazetari Hulumtuese pas gjysmë ore ka dalë me një komunikatë për shtyp, ku ka thënë se të gjitha këto të gjetura që i ka publikuar Çohu dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, janë fyerje dhe shpifje. Që dy javë që ka dalë publikimi PDK nuk na ka sqaruar dhe nuk ka dhënë fakte se ku kemi shpifur ne”, pohoi ai.

Kjo, sipas Demhasajt, është mënyra tipike që PDK gjithmonë reagon pas shkrimeve hulumtuesve të mediave dhe OJQ-ve, ku gjithmonë si argument kryesor, ka deklaratat se ato janë shpifje, por asnjëherë nuk ka asnjë fakt dhe asnjë argument që tregon se ato janë shpifje. Ai tha se Çohu akoma është në pritje të fakteve të PDK-së, të cilat do të vërtetonin që të gjeturat që ka bërë Qendra për gazetari hulumtuese dhe organizata “Çohu” janë shpifje ose fyerje.

“Ne derisa PDK të na sqarojë se kah kanë shkuar këto 100 milion euro, ne nuk do të ndalemi. Do të mbajmë vazhdimisht konferenca dhe do të lëshojmë komunikata për media, për të kërkuar nga PDK, të na sqaroj se kah kanë shkuar 100 milionë euro dhe pse këto 100 milionë euro i janë dhënë kompanive që kanë financuar PDK-në ose janë themeluar nga njerëzit e afërt me njerëzit e PDK-së”, theksoi ai.

Demhasaj po ashtu theksoi se edhe pse PDK ka deklaruar se do të ngrit padi ndaj tyre për shpifje, një gjë të tillë ende nuk e ka bërë, për arsye se nuk ka argumente për këtë.

Ndryshe sipas Çohu-t, të gjeturat për 100 milionë euro dhënë kompanive që kanë përkrahur PDK-në, në fushatat e fundit, janë të gjetura nga raportet e auditimit të KQZ-së, ku prej 43 kompanive që kanë financuar PDK-në, e që janë pjesë e këtij hulumtimi, në 11 prej tyre janë gjetur shkelje edhe tek organi shqyrtues i prokurimit. Sipas tyre EULEX dhe faktorë të tjerë ndërkombëtar, të pranishëm në Kosovë, po tolerojnë krime të papara ekonomike, pikërisht për shkak të nevojës për lojalitet të klasës politike kosovare./S.ZOGAJ