Proteza të reja për invalidët e luftës

prev next
 
Prishtinë E martë, 28 Shkurt 2012 12:04

Projekti për ripërtëritjen e protezave të luftës dhe projekti për pasojat nga traumat e luftës pritet të fillojnë së shpejti, ishte premtimi që ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pas një vizite që e bëri në Organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç kësaj, Agani u ka premtuar se veteranët e luftës, invalidët si dhe familjet e dëshmorëve do të marrin trajtimin mjekësor adekuat në institucionet shëndetësore në Kosovë si dhe jashtë vendit.

Agani po ashtu i ka njoftuar për adaptimin e legjislacionit të shëndetësisë në dritën e ligjit të ri për vlerat e luftës, si dhe adaptimit të akteve nënligjore të cilat kanë të bëjnë me të drejta të veçantë të anëtarëve të këtyre shoqatave.

“Biseduam edhe për çështjen e një projekti për ripërtëritjen e protezave të invalidëve të luftës të cilët i kanë kaluar disa vite duke i përdorur ato dhe te shumica e tyre janë dëmtuar, por gjithashtu edhe për inicimin e një projekti që ka të bëjë me pasojat nga traumat e luftës, pasoja këto që edhe pse 12 vite pas luftës ende janë prezentë dhe vazhdojnë të ndikojnë në funksionimin psiko – socialë të anëtarëve të këtyre shoqatave, dhe në këtë drejtim ne bënë propozim konkret të realizimin enjë projekti në bashkëpunim me ekspertë nga SHBA-të dhe ekspertë vendorë, në realizimin e një projekti të teknikave, përvetësimit të teknikave të relaksimit neuromuskular dhe në këtë mënyrë të ballafaqimit të pasojave të traumave të luftës”, ka thënë ai.

Ndërsa Fadil Shurdhaj, nga Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se janë dakorduar që së bashku të punojnë rreth projektit për ripërtëritjen e protezave dhe atë për traumat e luftës.

“U dakorduam me ministrinë që të punojmë së bashku që veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve të marrin trajtimin mjekësorë adekuat në institucionet shëndetësore në Kosovë si dhe jashtë vendit. U dakorduam që të fillojmë që shumë shpejtë të fillojmë projektin për traumat e veteranëve të luftës dhe për rregullim e protezave”, ka thënë Shurdhaj.

Ministri Ferid Agani ka përmendur edhe sigurimet shëndetësore për qytetarët e gjithë vendit, duke thënë se nuk është vetëm në dorë të dikasterit që drejton por varet nga Fondi Monetarë Ndërkombëtarë (FMN) dhe nga Banka Botërore (BB).

Ai ka thënë se gjatë ditës së martë ka një takim shumë të rëndësishëm me delegacionin e FMN-së si dhe një videokonferencë me përfaqësuesit e BB-së, ku shpreson që gjatë këtij takimi do t’i qartësojnë të gjitha aspektet, meqë bëhet fjalë për një reformë tejet të thellë dhe përmbajtësore të sistemit shëndetësorë./Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë