Prania e KFOR-it shtensionon situatën në veri

prev next
 
Prishtinë E premte, 20 Prill 2012 20:48

Rritja e pranisë së KFOR-it në lagjet e veriut të Mitrovicës ka ndikuar në shtensionimin e situatës. Kështu vlerësuan gjatë një takimit të përbashkët kryetari i komunës, Avni Kastrati dhe komandanti i detashmentit të përbashkët të KFOR-it në veri, kolonel Adolf Conrad.

Kastrati ka shprehur mirënjohje për këtë hap të KFOR-it, që ka qenë kërkesë edhe e vetë qytetarëve që jetojnë në veri. “Situata pas vrasjes së Selver Haradinajt në veri ka qenë shumë e tensionuar. Ne gjatë takimeve që kemi pasur me banorët e veriut kemi dalur me kërkesa të përbashkëta për rritjen e pranisë së KFOR-it”, tha ai.

Ai shtroi nevojën që KFOR-i të jetë i pranishëm më shumë edhe në Kodrën e Minatorëve, ku banorët shqiptarë kanë probleme edhe për lëvizje të lirë. “Në të gjitha lagjet me popullatë të përzier situata është e ndjeshme, andaj vlerësojmë si jetike praninë e KFOR-it”, theksoi Kastrati.

Në anën tjetër, komandanti i detashmentit të përbashkët të KFOR-it në veri, kolonel. Adolf Conrad, ka shprehur respektin për angazhimin e kryetarit në drejtim të qetësimit të situatës. “Të gjithë duhet të kontribuojnë në qetësimin e situatës”, tha ai.

Ndërsa për situatën aktuale, tha se pas shtimit të pranisë së KFOR-it gjendja është më e qetë. “Kemi shtuar praninë afër zonës së “Tre rrokaqiejve”, mandej Suhadoll etj. Gjithashtu do të rrisim praninë edhe në Lagjen e Boshnjakëve si dhe në të gjitha mjediset ku vlerësohet e nevojshme”, ka thënë Conrad. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë