• Lajmi
  • KosovaPress, 25 Prill 2012 11:03

Posselt: EULEX-it po i bie imazhi

prev next
 
Të ngjajshëm

Deputeti i Parlamentit Evropian, Bernd Posselt (CSU) ka thënë se EULEX-i në Kosovë nuk është në krye të detyrës dhe është i zhgënjyer prej tij, ndërkohë që për BE-në ka thënë se është koha e fundit që t’ua bëjë të qartë liderëve të Serbisë se perspektiva e tyre evropianë varet nga zhvillimi i raporteve me Kosovën dhe se nuk duhet më që të vënë në pikëpyetje çështjen e kufirit.

“EULEX-i, për fat të keq, nuk është në krye të detyrës. Parlamenti i Evropës e ka thënë gjithnjë shumë qartë, për herë të fundit para disa javësh në raportin tonë, se ne duam që EULEX-i të operojë në masë të njëjtë në të gjithë territorin shtetëror të Kosovës, sepse për ne nuk vjen në konsideratë ndarja apo diçka e ngjashme. Veriu i Kosovës dhe veriu i Mitrovicës janë po aq Kosovë sa janë edhe pjesët e tjera të vendit. Për fat të keq realiteti nuk është ende i tillë dhe ne jemi të zhgënjyer me efikasitetin e EULEX-it prandaj është me rëndësi shtimi i trupave”, ka thënë Posselt në një intervistë për DW duke shtuar se gjatë takimeve që ka pasur më parë me serbë, edhe në Mitrovicë, ka ardhur në përfundim se në veriun e Mitrovicës shumë serbë në të vërtetë janë të gatshëm për t'u integruar në Kosovë, por kanë frikë nga kriminelët dhe elementet nacionaliste nga të cilët terrorizohen.

“Ajo çfarë mund të them unë është se kosovarët janë duke u sjellë me përgjegjësi të lartë. Qeveria, opozita dhe po ashtu popullata është duke treguar një pjekuri të madhe politike dhe unë shpresoj që do të ruhet kjo pjekuri politike. Natyrisht që ekziston gjithmonë rreziku që grupe të vogla të keqpërdorin skajshëm situatën dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por edhe me Maqedoninë dhe disa pjesë të Serbisë. Në përgjithësi ne kemi një situatë shumë jostabile në Bosnjë e Hercegovinë, në Serbi, në disa pjesë të Kosovës dhe në Maqedoni dhe kjo në përgjithësi është një situatë që ka një rrezik të caktuar dhe unë shpresoj që kjo gjendje të mos shpërthejë”, ka thënë ai.

Posselt ka thënë se BE-ja së pari serbëve duhet t'ua thotë qartë liderëve të Serbisë se perspektiva e tyre evropiane varet nga zhvillimi i raporteve me Kosovën dhe se nuk duhet më që të vënë në pikëpyetje çështjen e kufirit.

“Edhe nëse aktualisht nuk mund ta njohin Kosovën formalisht, çështja e kufirit nuk duhet të vihet në pikëpyetje.

Pika e dytë është e qartë: ne duhet t'i themi një jo të qartë të gjitha planeve për ndarje. Çështja e statusit me njohjen pothuajse nga gjysma e shteteve të botës është përfundimisht e rregulluar dhe çdo diskutim për këtë çështje shkakton vetëm pasiguri. Ne duhet të angazhohemi që edhe pesë shtetet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën t'i bashkangjiten 22 shteteve të tjera.

Një pikë tjetër e rëndësishme është që edhe EULEX-i të punojë në masë të njëjtë në tërë territorin e Kosovës dhe ai të përqendrohet në detyrat e tij. Ne aktualisht po vërejmë një rënie drastike të imazhit të EULEX-it", ka thënë ndër të tjera Deputeti i Parlamentit Evropian, Bernd Posselt (CSU).