PDK me “vizion evropian” për Ferizajn

prev next
 
Ferizaj E hënë, 23 Prill 2012 19:32

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me një tubim mbajtur në "Bill Clinton" ka hapur fushatën parazgjedhore në Ferizaj, duke i dhënë mbështetje të fuqishme kandidatit të saj për kryetar komune, Agim Aliu. Lideri i PDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ky mandat është i PDK-së, prandaj edhe fitorja do t'i takojë partisë që drejton, ndërsa ka premtuar mbështetje të fuqishme për "Ferizajn evropian" dhe kryetarin që do të legjitimohet me votën e lirë të qytetarëve.

"E ka mbështetjen time të plotë, të PDK-së, të shumicës së qytetarëve dhe çdo projekt që prezanton Agim Aliu është edhe projekti im, besimi dhe premtimi im, për të punuar për të mirën e gjithë Kosovës dhe qytetarëve të Ferizajt", ka thënë lideri demokrat, Hashim Thaçi. Ai më tej ka theksuar se Agim Aliu gjithmonë i ka shërbyer Ferizajt, rrjedh nga një familje atdhetare, pjesëtar i UÇK-së, bashkëthemelues i PDK-së, udhëheqës i shkëlqyer në tranzicionin demokratik, intelektual i ri, i nderuar dhe respektuar prej qytetarëve, parlamentar i dëshmuar duke qenë gjatë kohë në krye të KK-së së Ferizajt dhe tjera, duke e vlerësuar kandidaturën e Aliut, si të qëlluar të degës së PDK-së.

Në podium është ngjitur edhe kandidati për kryetar në zgjedhjet e 29 prillit, Agim Aliu. Ai ka thënë se vizionin për Ferizajn evropian i nisur me Bajrush Xhemajlin, mandati i të cilit u ndërpre për arsye të njohura tashmë, do ta çojë në vend, duke vazhduar me zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Ai ka përmendur tri shtylla kryesore të zhvillimit dhe bërjes së ndryshimeve të pashme në Ferizaj.

"Tri shtyllat kryesore bazohen në zhvillimin ekonomik nëpërmjet funksionalizimit të zonave të biznesit, avancimi i strukturës urbane nëpërmjet ndërtimit të udhëve të reja, përfshirë edhe përmbylljen e ciklit bazik të infrastrukturës nëntokësore dhe shtylla e tretë, edukimi i të rinjve nëpërmjet ngritjes së shkollave të reja dhe ngritjes së kapaciteteve të shkollave ekzituese" ka thënë Aliu.

Por, Aliu ka vënë në dukje se më 29 prill do të jetë vendimi i qytetarëve, për të dëshmuar se qytetarët e Ferizajt nuk duan të kthehen prapa, sepse të ardhmen e tyre e shohin në ecje përpara dhe në vazhdimësi.

Kandidati Agim Aliu ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fushatës do të dialogohet me qytetarët, për t'iu thënë atyre se: "nuk jemi të përkryer, por jemi më të mirët, sepse jemi të bindur se brenda programit tonë është Ferizaj, tradita e tij bujare, është e ardhmja e tij, duke i dhënë mundësi secilit të shprehet lirshëm dhe të shfaq mendimet e tij"

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë