PDK tërhiqet nga rivotimi i mocionit (me video)

prev next
 
Prishtinë E martë, 15 Maj 2012 11:03

Ishte paraparë që gjatë seancës së sotëm të Kuvendit të Kosovës, Grupi parlamentar i PDK të insistonte në kërkesë për harmonizim të qëndrimeve dhe të debatohej mes partive parlamentare për mocionin e miratuar gjatë javës së kaluar i cili i kërkonte qeverisë së Kosovës që vazhdimin e dialogut me palën serbe ta kushtëzonte me zbardhjen e fatit të pagjeturve, mirëpo Grupi parlamentar i PDK-së ka kërkuar që të mos debatohej për këtë çështje pasi që, sipas tyre, paraprakisht, duhet të zhvillohet debat mes partive politike për këtë çështje.

Deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami ka kërkuar që për çështjen e fatit të pagjeturve të mos debatohet mes partive politike në Kuvend, pasi që, siç ka thënë ai, ky është një detyrim shtetëror i Kosovës.

“Debati që ka qenë për të pagjeturit të mos politizohet, të mos jetë përplasje mes partive politike se kjo çështje është një çështje fundamentale, çështje shtetërore, të mos jetë i përplasjeve midis komuniteteve dhe unë propozoj që të ndalim këtë debat. Nganjëherë më së paku ju bënë nder të pagjeturve dhe debat që zgjidh këtë çështje që është një plagë e rëndë e shtetit të Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Ndërkohë, ai ka shprehur përkushtimin e tij dhe të Grupit Parlamentar të tij që proceset e votimit të jenë më transparente dhe profesionale dhe, siç ka thënë ai, të mos votohen gjëra kontradiktore.

“Unë angazhohem edhe personalisht edhe në emër të grupit parlamentar të jemi shumë më vigjilent rreth proceseve të votimit, sepse ne duhet të kemi një proces jashtëzakonisht mirë të votimit në parlamente serioze në demokracitë parlamentare, proceset e votimit janë procese shumë transparente dhe shumë profesionale dhe angazhohem që udhëheqja e parlamentit të mos qetë në votim gjëra kontradiktore, por mirë t’i studioj dhe të mos e bie parlamentin në një situatë çfarë kemi qenë”, ka theksuar ai.

Më pas ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka propozuar një mocion që pika e fundit e rendit të ditës - shqyrtimi i propozimit të Qeverisës së Kosovës për anëtarët e rinj të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të vihet si pikë e parë e rendit të ditës.

Ky mocion nuk është përkrahur nga partitë opozitare, por pas daljes në votim ka kaluar si pikë e parë e rendit të ditës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se LDK-ja nuk i mbështetë propozimet, pasi, siç ka thënë ai, të propozuarit janë militant partiak.

“Konsiderojmë me përgjegjësi të plotë se aty po mbushet me militantë partiak dhe ne si grup parlamentar i LDK-së, për arsye se nuk i plotësojnë kriteret, ne nuk do t’i votojmë”, ka thënë Beqiri.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kërkuar më shumë informacione për të propozuarit.

“Duhet edhe të shpjegojnë se çka ndërmend të bëjë me këtë post pune, e jo vetëm të thotë ja sa shkolla i kam kryer, sepse kjo nuk mjafton. Ne duhet ta dimë se çka e kanë ndërmend këta të bëjnë me ZRRE-në, si do të ballafaqohen me sfidat që paraqiten në ZRRE”, ka thënë Ymeri.

Me shumicë votash kuvendi emëroi anëtarët e rinj të Bordit të ZRRE-së, të cilët janë Krenar Bujupi, Enver Halimi dhe Mimoza Kostari.

Më pas ligjvënësit i dhanë afat shtesë Komisionit Ad Hoc për amandamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Kryetari i këtij komisioni, Haki Demolli ka paraqitur nevojat për zgjatjen e afatit prej tre muajsh.

Kuvendi, po ashtu, miratoi raportin e punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, për vitin 2011, ndërsa i dha mbështetje propozimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për emërimin e Adem Vokshit anëtar të Komisionit për Kërkesa Pronësore.

/Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë