PDK dhe AAK, dakord për koalicion

prev next
 
Prishtinë E enjte, 20 Shtator 2012 13:22

Deri sa zyrtarët e partive politike nga PDK dhe AAK, nuk pranojnë zyrtarisht arritjen e një marrëveshje për zgjerimin e koalicionit qeverisës, burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur, se tanimë një marrëveshje e tillë është arritur dhe pritet vetëm bërja publike e kësaj marrëveshjeje.

Me temën e mundësisë të hyrjes së AAK-së në Qeveri, ka muaj që mediat janë duke u marrë dhe ky debat ka vazhduar edhe në taborët e dy partive, të cilët në shuam raste shkrimet i kanë quajtur spekulime mediale, por nuk kanë munguar as deklaratat që kanë mirëpritur këtë koalicion.

Kosovapress kishte raportuar më parë se kushtet e AAK-së janë që kryeministër i vendit të jetë Ramush Haradinaj dhe të udhëheqin me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Zhvillimit e Ekonomik.

Edhe pse zyrtarisht nuk pranohet ende nga asnjëra palë arritja e marrëveshjes për bashkëqeverisjen PDK – AAK, apo siç quhet ndryshe “qeverisja e të fortëve”, burime të Kosovapress-it brenda dy partive, bëjnë të ditur, se tanimë një marrëveshje e tillë është arritur, pritet vetëm bërja publike e kësaj marrëveshjeje.

Zenun Pajaziti, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se PDK deri më tani nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje, por nuk fsheh faktin se shumë parti politike janë të interesuara që të jenë pjesë e koalicionit me PDK-në.

“Partia Demokratike, deri me tani nuk ka dal e ndonjë qëndrim zyrtar. Është në kompetencën e Qeverisë të vlerësojë edhe qeverisjen e deritashme edhe ndryshimin e mundshëm të koalicionit. Siç e dini vet i pari i qeverisë ka konstatuar dhe ka vlerësuar se nuk ka ndonjë problem në qeverisjen e deritanishme. Nuk kemi pare diçka zyrtare që mund të konkludonte që mund të vinte deri tek ndërrimi i qeverisë, nëse kjo do të ndodhte, atëherë Partia Demokratikë duhet ta konfirmojë, duhet ta aprovojë një gjë të tillë me strukturat e veta të partisë. Kjo është një diçka që unë e shoh normale. Deri më tash nuk kemi asnjë kërkesë zyrtare. Vlerësimet e deritanishme të qeverisë janë të mira për koalicionin aktual. Ndërsa është në disponim, aty këtu, i anëtarëve të partive të ndryshme, që konsideroj që është pozitive, që edhe nga ana e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës një gjë e tillë konfirmohet si pozitive dhe si e mundshme. Por është shumë, është më rëndësi një e gjë e tillë për ne, për Partinë Demokratike, se shumë nga partitë politike dëshirojnë dhe kanë vullnet që te kenë koalicion me ne”, tha Pajaziti.

Ndërsa Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete drejt këtij koalicioni dhe të gjitha shkrimet i ka quajtur spekulime.

“Nuk ka asgjë konkrete, janë spekulime, të cilat po përfliten dhe konsiderojmë që është konsumuar kjo temë”, tha Ahmeti për Kosovapress.

Ndryshe, hyrja e AAK-së në koalicion me PDK-në, shihet si një forcim i Qeverisë, edhe si numër votash, por edhe si autoritet qeverisës, në kohën kur Kosova përballet me një gjendje të rëndë ekonomike, me çështjet problematike në veri dhe për ballë dialogut që pritet të ndodh me Serbinë./Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë