• Lajmi
  • KosovaPress, 28 Nentor 2012 13:13

Panair i veshjeve kombëtare për nder të 100 vjetorit

prev next
 
Të ngjajshëm

Ushqime tradicionale dhe veshje kombëtare, është mbushur sheshi i kryeqytetit, ku qytetarët, po festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në sheshin “Nënë Teteza”, po ashtu është vendosur një bukë e gjatë 100 metra, që peshon rreth 620 kilogram dhe nga e cila mund të shërbehen qytetarët të cilët tashmë kanë dalë për të festuar.

Ndër aktivitete e shumta që po mbahen në kryeqytet për nder të kësaj feste, ishte edhe panairi i veshjeve kombëtare dhe i ushqimit tradicional, i realizuar në bashkëpunim me organizatat dhe shoqatat e grave të Prishtinës.

Këto të fundit, që në orët e hershme të mëngjesit, kanë ekspozuar veshjet tradicionale, në këtë ditë të shënuar për shqiptarët.

Kryetarja e Shoqatës së gruas pensioniste “Jeta Vita”, Ajshe Nuhiu ka thënë se gratë e kësaj shoqate, janë munduar të punojnë sa më shumë, në mënyrë që në këtë panair, të paraqesin sa më shumë veshje, të cilat simbolizojnë trashëgiminë dhe simbolet shqiptare.

Ajo tha se ka interesim të madh të qytetarëve për t’i blerë këto veshje, si nga qytetarët që jetojnë në Kosovë, po ashtu edhe nga qytetarët e diasporës.

“Sot jemi dal të festojmë 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe flamurit kombëtar. Gratë të cilat punojnë në shoqatë me simbolet e trashëgimisë, janë munduar që disi ta paraqesin dhe ta festojnë këtë ditë shumë madhore për të gjithë shqiptaret anë e kënd botës ”,ka thënë ajo.

Edhe Xhyle Berisha nga fshati Qyshk, pjesëmarrëse në panair tha se është një interesim jashtëzakonisht i madh i të rinjve për veshjet tradicionale shqiptare.

“Rinia janë kthyer nga veshjet kombëtare. Është kënaqësi me i pa këto veshje dhe me i ble. Unë kam kënaqësi me i pa rininë, me u josh në këto tesha me i ble, sepse janë me traditë 100 vjeçare ”, tha ajo.

Në Sheshin e kryeqytetit, po ashtu në këtë ditë festive, kompania “Meridian” ka vendosur një bukë të gjatë 100 metra, e cila peshonte rreth 620 kilogram dhe nga e cila mund të shërbehen qytetarët të cilët tashmë kanë dalë për të festuar.

Boletin Deliu, menaxher i prodhimit të firmës Buka, në kompaninë “Meridian”, tha se këtë bukë malësie, ata e kanë vendosur për nder të kësaj feste dhe nga e cila mund të shërbehen qytetarët e pranishëm.

“Sot për ditë të pavarësisë së Shqipërisë, kemi dalë me një bukë 100 metra. Kjo bukë peshon diku 620 kg është bukë e shëndetshme dhe quhet bukë malësie ”, tha ai.

Por në këtë panair nuk mungonin as qytetarët e shumtë, të cilët interesoheshin që të blenin disa nga veshjet që ishin prezantuar aty.

Besim Bejta, qytetar nga komuna e Medvegjës, i cili së bashku me gruan dhe fëmijët, kishin dalë të festojnë, ndër shumë veshje të ekspozuara kishte vendosur që dy djemve, të ia blej plisin e bardhë.

“Kemi dal për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Desha me iu ble disa plisa djemve, nja dy plisa për hir të 100 vjetorit të pavarësisë“, tha ai.

Ai thotë se këtë po e bënë që djemtë e tij të vegjël, të festojnë me plisa, por dhe t’i njohin më mirë simbolet e popullit shqiptar. /Kosovapress/