• Lajmi
  • KosovaPress, 09 Maj 2012 15:39

Nuk janë të barabartë me moshatarët e tyre nga Evropa

prev next Ferizaj
 
Të ngjajshëm

Një grup i të rinjve ferizajas të tubuar rreth organizatës "Nisma për aktivizim", Ditën e Evropës - 9 Majin, e kanë shënuar me një performancë në sheshin e qytetit “Adem Jashari”. Njëzet e shtatë të rinj e të reja, të veshur me fanella të zeza kanë krijuar një rreth, kanë vënë brenda tij një hartë të zezë të Kosovës dhe më pas kanë vendosur zinxhirët nëpër të, duke u kërkuar institucioneve vendëse e të huaja, që të bëjnë më shumë në drejtim të integrimit të vendit në BE.

Drejtuesi i kësaj organizate, Albion Sherifi, ka thënë se qëllimi i kësaj performance është shprehja e pakënaqësisë nga rinia ferizajase me rrjedhat e tashme politike e shoqërore, të cilat nuk janë aspak në favor të shtetit të Kosovës sa i përket çështjes së integrimeve evropiane.

" Janë 27 të rinj të veshur me fanella të zeza, në një rreth që tregon se 27 shtetet anëtare të BE-së nuk lejojnë hyrjen e Kosovës dhe kemi filikaqet, përmes së cilave u bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare për zgjimin e tyre politik e shoqëror për të parë realisht pakënaqësitë sociale, në këtë pakënaqësitë tona si roganizatë rinore" ka thënë Sherifi.

Sipas kësaj organizate, mosintegrimi i Kosovës në mekanizmat relevant të BE-së, i vë në pozita inferiore karshi rinisë së shteteve evropiane.

"S'jemi të barabartë në asnjë aspekt me rininë evropiane. Na mungon shumëçka, së pari kushtet. Preokupimi ynë parësor është arsimimi, kultura, vendet e rekreacionit. Fatkeqësisht kemi numër të madh të rinjsh me deviacione sociale. Gjithë këta janë tregues se rinia jonë nuk i përngjet rinisë së shteteve evropiane", ka thënë Sherifi.

Ndryshe, këta të rinj kanë thënë se 9 Maji, nuk duhet të jetë ditë pushimi në Kosovë, pasi në të gjitha shtetet e botës kjo është ditë e rëndomtë pune./B.Idrizi/