• Lajmi
  • KosovaPress, 14 Shtator 2012 18:05

“Nuk i votojmë ndryshimet kushtetuese”

prev next
 
Të ngjajshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin e tij se LDK-ja nuk do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, nëse nuk respektohet marrëveshja politike e arritur mes subjekteve politike në prill të vitit të kaluar.

Mustafa ka pohuar se i gjithë ky qëndrim i LDK-së ndërlidhet me obstruksionet që po i bëhen marrëveshjes politike të tre liderëve, e cila ishte arritur gjatë vitit të kaluar.

“Ne nuk do të votojmë për ato ndryshime kushtetuese, të cilat nuk e respektojnë marrëveshjen politike që e kemi bërë në prill të vitit të kaluar. Në qoftë se ata mund të mbledhin vota me votu, ajo është punë e fuqisë së votave dhe punë e demokracisë. Por nuk do ta keni votën e LDK-së”, ka thënë ai.

Presidentja e vendit, Atifeta Jahjaga, sipas Mustafës, duhet ta zbatojë marrëveshjen politike, e cila do t’u hapte rrugë reformave. Ai ka thënë se Jahjaga në fjalimin e saj promovues për presidente, është zotuar se do ta respektojë marrëveshjen, do të kontribuojë që të bëhen reformat kushtetuese dhe zgjedhore dhe do të hape rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për president të Kosovës dhe se ajo tashmë duhet ta bëjë një gjë të tillë.

“Atifete Jahjaga duhet t’i zbatojë marrëveshjet politike të vendit. Ne insistojmë se ajo nuk do të ketë detyrim ndaj LDK-së që të zbatojë, por duhet të respektojë një marrëveshje politike, e cila është lidh ndërmjet subjekteve politike e cila është shndërruar në një rezolutë të kuvendit të Kosovës, që ka marrë fuqi të parlamentit dhe për të cilën ajo është zotuar dhe në fjalimin e saj promovues për presidente”, ka thënë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë konferencës së sotme për shtyp. /Kosovapress/