Nesër testi i maturës, dyfishohen pyetjet (me video)

prev next
 
Prishtinë E premte, 08 Qershor 2012 13:33

Drejtues të Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës kanë bërë të ditur se rreth 35 mijë maturantë të rregullt dhe ata që kanë dështuar vitin e kaluar, më 9 dhe 23 qershor do të sprovojnë dijen në testin provues, i cili, për dallim nga viti i kaluar, këtë vit do t’i ketë 200 pyetje, nga të cilat 60 nga lëndët e përgjithshme mësimore dhe 40 nga lëndët e zgjedhura.

Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa të premten gjatë një konference për media ka bërë të ditur se, KQSHM, tashmë ka bëtë të gjitha përgatitjet e nevojshme që nesër më 9 qershor të jetë gati gjithçka, për mbajtjen e testit të maturës.

“Pra, nesër do të mbahet testi i maturës. Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit kemi të rritur numrin e qendrave të testimit çka do të thotë se rreth 100 që i kemi pasur vitin e kaluar tani i kemi rreth 250 qendra të testimit. Kemi dyfishimin e pyetjeve, pra nga 100 që kanë qenë vitin e kaluar, këtë vit maturantët do të kenë mundësi që të përgjigjen në 200 pyetje, me një dallim nga viti i kaluar, sepse këtë vit maturantëve u jepet mundësia që dy ditë në një afat t’i nënshtrohen provimit të maturës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se pjesa e parë e testit e cila do të mbahet më 9 qershor, do t’i përmbaj 120 pyetje, kurse pjesa e dytë që do të mbahet më 23 qershor do t’i ketë 80 pyetje. Sipas tij, për dallim nga viti i kaluar këtë vit , komisioni ka vendosur që të ketë një dyfishim të pyetjeve.

“Pyetjet të cilat do të jenë nga tri lëndët e përgjithshme ashtu siç e përcakton ligji, siç është gjuha shqipe, gjuha angleze dhe matematika. Ligji parasheh që lëndët e përgjithshme të përfshijnë 60 për qind -shin e totalit të pyetjeve. Ditën e dytë që do të jetë pas dy javësh, pra më 23 qershor do të jenë 80 pyetje, ose 40 për qindëshi i totalit ku maturantët do të përgjigjen në pyetjet të cilat janë më të përafërta me drejtimet të cilat ata i kanë ndjekur”, ka thënë ai

Ai konsideron se ndryshimet të cilat janë bërë në procedurat e testit të maturës, do të jenë në favor të maturantëve, në mënyrë që ata të paraqesin më lehtë njohurit e tyre, të cilat i kanë marr në shkollimin e mesëm të ulët.

Mustafa, ka thënë se nesër do të jenë të të angazhuar, siç u shpreh ai, një armatë njerëzish, të cilët do të administrojnë provimit e maturës, në mënyrë që ky test të rrjedhë sa më mirë.

Sipas tij, në 7 njësi akademike të UP-së, maturantët do të mund të regjistrohen vetëm përmes maturës shtetërore.

Sipas Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, në testi e maturës, që pritet të filloj nesër më 9 qershor duke nisur nga ora 10:00 do të jenë të angazhuar 900 komisione, 2 mijë e 600 administrues të cilët drejtpërdrejtë do të merren me administrimin dhe së paku 300 monitorues nga UP-ja.

Në konferencë u tha se, përkundër faktit se i është dërguar ftesë edhe OJQ-ve, asnjëra nga to nuk ka shprehur gatishmërinë që të jetë pjesë e monitorimit të procesit.

Sipas, parashikimeve të KQSHM-së, publikimi i rezultatit të testit, pritet që të bëhet më 30 qershor.

Përndryshe, ky është viti i pestë që MASHT organizon maturën shtetërore, mbështetur në Ligjin për Provimin Përfundimtar dhe Provimin e Maturës Shtetërore. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë