• Lajmi
  • KosovaPress, 21 Gusht 2012 16:00

Ndarja e banesave solidare me rregullore komunale

prev next Ferizaj
 
Të ngjajshëm

Në Ferizaj janë diskutuar dy draft-rregullore, e para për bashkëpunimin e komunës me fshatra dhe zonat urbane dhe e dyta, rregullorja për përcaktimin e prioriteteve për ndarjen e banesave solidare.

Këto dy rregullore të debatuara me qytetarë synojnë të përcaktojnë kahet e bashkëpunimit të komunës me fshatrat si dhe kriteret për ndarjen e banesave solidare. Fillimisht kryesuesi i Kuvendit komunal të Ferizajt, Xhavit Zariqi ka thënë se këto dy rregullore kanë kaluar në dëgjimin e parë në Kuvend, ndërsa para miratimit të tyre final, qytetarët duhet të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të njëjtat do të inkorporohen në tekstin përfundimtar, duke vlerësuar lart pjesëmarrjen e qytetarëve në këto diskutime publike.

Rregullorja e parë, sipas drejtorit të Administratës së Përgjithshme, Vesel Zhinipotoku, definon qartë relacionet komunë-qytetar, format dhe mekanizmat e bashkëpunimit, duke krijuar udhëheqjet në fshatra dhe zona urbane në kuptim të përfaqësimit dhe realizimit të interesave të komunitetit.

"Qytetarët në zonat ku jetojnë do të shtrojnë kërkesat e tyre përmes vijës institucionale. Do të zgjedhin njerëzit që do të komunikojnë me kryetarin, Kuvendin Komunal", ka thënë drejtori Zhinipotoku.

Rregullorja tjetër për caktimin e prioritetve për ndarjen e banesave solidare ka zgjuar më shumë interesimin e qytetarëve, të cilët kanë kërkuar që me rastin e ndarjes së banesave solidare të formohet një komision, i cili do të punojë drejt dhe me korrektësi dhe do të përzgjedh rastet më të rënda nga qytetarët, që nuk e kanë zgjidhur problemin e banimit dhe strehimit.

U bë e ditur se komuna të do të ndajë disa banesa solidare në objektet që ka dhënë me koncesion, ndërsa për ndarjen e tyre do të ketë kritere strikte, sipas të cilave përfituesit do të jenë ata që kanë më së shumti nevoja.

"Është numër i madh i atyre që nuk e kanë të zgjidhur këtë problem, si nga familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët, ish-të burgosurit politikë dhe skamnorët. Do të punohet sipas kritereve dhe nuk do të ketë shmangie nga kriteret", ka thënë drejtori Zhinipotoku.

Ndërsa kryesuesi i KK-së, Xhavit Zariqi u ka shpjeguar qytetarëve se komisioni do të punojë në terren më shumë dhe jo mbi bazën e letrave që ofrojnë familjarët, duke analizuar çdo detaj. “Ata që kanë pasuri dhe mundësi për ndërtimin e shtëpive, nuk do të mund të përfitojnë banesë solidare. Do të punohet sipas kritereve" ka thënë Zariqi.

Qytetarët kanë adresuar vërejtje për mënyrën e ndarjeve të banesave solidare në të kaluarën, duke kërkuar që praktika të tilla të mos përsëriten më./B.Idirizi/