Memorandum për mbetjet e hirit

prev next
 
Prishtinë E martë, 29 Maj 2012 14:35

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, drejtori Menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj dhe përfaqësuesi i Cornell University, Vijay Sharma, nënshkruan të martën një memorandum mirëkuptimi, në favor të përmirësimit të ambientit, respektivisht kërkimit të mundësive për ripërpunim dytësor të mbetjeve të hirit të termocentraleve të KEK-ut.

Përfaqësuesit nga Cornell University, të cilët po kryejnë studime të avancuara të gradës master në këtë Universitet, do të ndërmarrin një studim fizibiliteti, për të identifikuar zgjidhje ekonomikisht të dobishme dhe inovative për mbetjet e hirit nga termocentalet e KEK-ut. Në përfundim të këtij studimi, do të formulohet një strategji bisnesi për zhvillimin e kësaj industrie, e cila pritet të tërheqë investime, ka bërë të ditur Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor.

Gjithnjë sipas saj, ministrit Gashi ka thënë se nga ky studim do të shihen mundësitë që suficiti i hirit nga termocentralet e KEK-ut të përdoret në mënyrë komerciale dhe që nga raporti përfundimtar, i cili pritet të prezantohet në shtator të këtij viti, do të jepën të dhëna të sakta rreth kësaj mundësie.

Vijay Sharma, përfaqësuesi i konsulentëve nga Cornell University, ka thënë se do të mundohen që këtë potencial nga mbetjet e hirit, që vazhdon ta posedojë Kosova, ta kthejnë në asete kombëtare.

Studimi që do të bëhet nga ekipi i tij, ka për qëllim që t’i hapë rrugë Kosovës drejt shfrytëzimit të qëndrueshëm të kësaj industrie.

Ndërsa drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjuka, ka thënë se megjithatë kompania që ai drejton, do të mundohet që përmes elektro-filtrave, që pritet të vihen në funksion së shpejti, ta ulë nivelin e pluhurit dhe si pasojë edhe të hirit.

Ekipi nga Cornell University, do të vazhdojë punën në Kosovë gjatë verës dhe rreth muajit shtator do të japë rekomandimet nëse hiri nga termocentralet e KEK-ut është i ripërdorshëm për produkte dytësore, potencialisht për prodhimin e cementit.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë