• Lajmi
  • KosovaPress, 23 Maj 2012 09:41

Majori Krasniqi kthehet në detyrë

prev next
 
Të ngjajshëm

Sapo është rikthyer në detyrën e tij të mëparshme, drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Prizren, majori policor Nexhmi Krasniqi, ka takuar në një takim të përbashkët drejtuesit e sigurisë, të gjyqësisë e prokurorisë të rajonit të Prizrenit, respektivisht kryetarin e Gjykatës së Qarkut, Ymer Hoxha, kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut, Sylë Hoxha, kryetarin e Prokurorisë Komunale, Enver Sokoli, kryegjyqtarët e gjykatave të Rahovecit, Suharekës, Malishevës dhe Dragashit.

Qëllimi i takimit, ishte përmirësimi i komunikimit të ndërsjellë në mes të këtyre tri institucioneve.

Siç ka njoftuar Hazir Berisha, zëdhënës i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Prizren, të pranishëm në takim kanë qenë edhe komandantët e stacioneve policore të rajonit të Prizrenit dhe shefat e hetimeve.

Në takim janë diskutuar çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me eliminimin e procedurave të panevojshme burokratike gjatë zbatimit të ligjshmërisë.

Ndryshe, Nexhmi Krasniqi është shpallur i pafajshëm ditë më parë, pas akuzave të ngritura nga prokuroria speciale e EULEX-it për kinse i përfshirë në krime lufte.